Roland Bejko: Nesër ejani në protestë, do mbyllim hesapet me këtë qeveri
Kreu i PD Gjirokastër Roland Bejko, gjatë një konference për shtyp mesditën e sotme, i ka bërë thirrje qytetarëve të Gjirokastrës, t’i bashkohen protestës së nesërme kundër qeverisë Rama.
Sipas Bejkos, e nesërmja, do të shënohet si një ndër protestat më të mëdha që ka njohur Shqipëria ndërkohë që ka apeluar për ekzistencën e një skenari të qartë të vjedhjes së votave nga PS në zgjedhjet e 18 qershorit.
“Do të jenë në shesh të gjithë ata qytetarë që me këtë qeveri duan të mbyllin njëherë e mirë hesapet. Ata që duan të clirohen nga taksat e rënda, nga papunësia e lartë, nga varfëria, nga mungesa e shpresës, nga mbifaturimet, nga mungesa e një shtepie ku te futin koken, nga mungesa e shërbimit shëndetësor të korruptuar, shkurt, nesër në shesh do të jenë të gjithë ata qytetarë që duan të shpëtojnë nga mijëra hallet e tyre, duke larguar qeverinë e hashashit dhe të korrupsionit të tenderave publike, për ta zëvendësuar me një qeveri që do garantojë votën e lirë si elementin më kryesor të demokracisë dhe të legjitimitetit”, tha Bejko gjatë deklaratës së tij.