Rrëfimi i Mirela Kumbaros, tregon çfarë i tha babai kur Rama e bëri ministre

Gjatë fjalës së mbajtur sot në aktivitetin për hapjen e fushatës elektorale të Partisë Socialiste në Gjirokastër, Mirela Kumbaro tregoi edhe bisedën me babain e saj, që në momentin kur Edi Rama i kishte propozuar për të qenë Ministre e Kulturës.

Ndonëse ai i kishte thënë se politika është e pabesë, Kumbaro u shpreh se e kishte gjetur ujdinë me të atin.

Por jo kësaj here kur ajo kandidon për deputete në Gjirokastër, pasi babai i ka ndërruar jetë rreth tre katër vjet më parë.

Më poshtë pjesë nga fjalimi i Kumbaros kur rrëfen bisedën me babain.

“Mos shko”, më tha im atë, kur i thashë per ftesën që më bëri Edi Rama dhe Partia Socialiste për t’iu bashkuar skuadrës së Rilindjes në ndërtimin e qeverisë së re.

“Politika është e pabesë, e vështirë, do të të njollosë.”

Gjithmonë kam gjetur ujdinë me tim atë. Kësaj radhe nuk e gjeta.

Unë vendosa të kaloj rubikonin dhe të futem në politikë duke marrë përsipër detyrën e ministrit të kulturës.

Ai mbeti i pezmatuar, i trishtuar, plot ankth duke ndjekur çdo ditë mediat dhe titujt e gazetave që kur një grua del në mejdan të politikës nuk ta kursen baltën dhe fyerjen,

dhe, si për të refuzuar përjetësisht këtë spektakël banal, ku nuk mund ta shihte të bijën të ndotej, vendosi ta ndalte jetën pak javë pasi unë e “zhgënjeva,” duke mos i shkuar per fije deshires se tij, por më parë më la amanet Gjirokastrën.

Ndërkohë unë, pas 25 vitesh kur politika jo rrallë më kishte zhgënjyer, kur politikanë, gjithëfarë, nuk më frymëzonin më, për të parën herë pashë një dritë dhe një energji të re, një vullnet se mund të kalojmë më në fund nga tranzicioni në zhvillimin e qendrueshëm dhe modern.