Rreziku nuk ka përfunduar, të mërkurën priten përmbytje të tjera

23Edhe pse sot situata është disi më e qetë, rreziku në zonat e përmbytura nga reshjet dhe lumenjtë nuk ka marrë fund ende. Meteorologët ndërkombëtarë kanë njoftuar se ditën e mërkurë priten reshje të dëndura dhe përmbytje të tjera në jug të vendit.

Banorët e evakuar nuk të duhet të rikthehen në banesat e tyre sepse mund të rrezikojnë jetën e tyre. Apeli vjen nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili tha sot ndër të tjera se Shqipëria do të bëjë një vlerësim të këtij dëmi dhe do t‘ia paraqesë faturën, Bashkimit Europian, për të përfituar edhe ajo si vendet e tjera nga Fondi i Solidaritetit.

“Nuk ka përfunduar rreziku, periudha e alarmit. Të mos tentohet të rikthehen edhe pse ka pauza të shirave. E keqja nuk ka kaluar. Priten deri të mërkurën reshje të bollshme, lumenjtë do vazhdojnë të fryhen. Atje ku ka ndodhur evakuimi duhet të mobilizohemi t’i garantojmë njerëzve vende strehimi dhe më kryesore, të heqim pengesat në kanale që janë krijuar nga mbledhja e inerteve”,- u shpreh Panariti.  

Deri më tani nga përmbytjet në jug të vendit, llogaritet që janë nën ujë mbi 3 mijë hektratë tokë dhe qindra banorë janë evakuar nga banesat e tyre.