Serbët: Në stadium, asnjë tifoz nga Kosova dhe Maqedonia

hahahah_0Tifozët shqiptarë nga Kosova dhe ata nga Maqedonia nuk do të mund ta ndjekin në stadiumin “Elbasan Arena” ndeshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, e cila do të zhvillohet më 8 tetor, për eliminatoret e “Euro 2016”. Për këtë janë të bindura mediat serbe, sipas së cilave, pas takimit të Kryeministrit Edi Rama me përgjegjësit e shërbimeve dhe sigurisë, është biseduar për procedurat e biletarisë për këtë ndeshje, e cila nuk e parasheh që me bileta të pajisen edhe tifozët nga jashtë Shqipërisë.

“Kjo nënkupton se në këtë ndeshje nuk do të mund të futen në stadium tifozët nga Kosova dhe shqiptarët nga Maqedonia”, shkruan “kurir.rs”.

Gjithnjë sipas këtij mediumi, Federata Shqiptare e Futbollit me këtë rast e ka pranuar rekomandimin e UEFA-s, për ta shmangur ndonjë incident, të cilin mund ta shkaktojnë tifozët e këtyre dy vendeve.

“Para lojës, do të ketë kontroll rigoroz për tifozët dhe ndeshjen mund ta ndjekin vetëm ata tifozë që kanë nënshtetësi shqiptare. E ata që hyjnë në Shqipëri ato ditë, do të kontrollohen në detaje”, vazhdon shkrimin “Kurir” e përcjellë nga “Zëri”.

Shqipëria e fitoi në tavolinë 3-0, ndeshjen e parë me Serbinë, e cila ishte ndërprerë në Beograd, tetorin e vitit të kaluar.