Sërish reshje, frikë në zonat e përmbytura. Ja situata në Qarkun Gjirokastër

10968486_10153016866474909_2298364085244652219_n (1)Edhe gjatë ditës së sotme, në zonat e përmbytura në jug të vendit kanë vijuar reshjet. Në Gjirokastër dhe disa komuna të saj ka probleme të mungesës së energjisë elektrike. Nga ujërat janë bllokuar disa komuna. Situata mbetet kritike në Berat dhe Tepelenë e komunat e tyre.

Në të gjithë qarkun e Gjirokastrës ka pasur reshje shiu me intensitet të dobët deri mesatar. Në zonat malore si: Zagorie, Frashëri dhe Kurvelesh ka rënë dëborë deri në 20 cm. Qarkullimi i automjeteve për në këto komuna kryhet me zinxhir. Sipas informacioneve të marra, niveli i ujërave të lumit Vjosë në rrethin e Tepelenës ka qenë në ulje gjatë ditës së djeshme. Në këtë qark janë përmbytur rreth 1000 ha tokë. Në fshatin Karjan të komunës Lunxhëri është çarë argjinatura e lumit Drino që rrezikon përmbytjen e mëtejshme të sipërfaqes së tokës dhe një zonë të vogël banimi.

Rënia e intensitetit të reshjeve ditën e djeshme shtoi optimizmin në banorët e 5 Qarqeve qe po vuajnë përmbytjet më të mëdha në zonat e tyre, në këto vitet e fundit. Dje është shënuar një uljë e ndjeshme të nivelit të ujit në lumenjtë Vjosë, Gjanicë, Osum, Devoll dhe Shkumbin, por kjo ishte e përkohshme pasi shtretërit u tejfrynë gjatë orëve të natës pasi rinisën me intensitet reshjet e shiut.

Ende nën ujë janë mijëra ha tokë dhe se në total janë evakuuar 420 familje. Mësohet se në zonat e përmbytura ka nisur shpërndarja e pakove me ushqimeve. 250 pako me ushqimet më të domosdoshme janë shpërndarë në Novoselë të Vlorës, ndërsa 250 të tjera do të shpërndahen në Levan të Fierit. Drejtoria e Rezervave të Shtetit ka përgatitur edhe 80 pako të tjera me ushqime, që do të dërgohen në Urën Vajgurore. Sipas burimeve nga Prefektura e Vlorës dhe e Fierit, një pjesë e banorëve të prekur nga përmbytjet janë rikthyer në banesat e tyre. Nga ana tjetër, meteorologët kanë paralajmëruar se sot do të ketë stuhi shirash, ndaj u kanë bërë thirrje banorëve të zonave problematike që të mos kthehen në banesat e tyre.