Sërish “sherr” për Kalanë e Libohovës

12308317_1057537677610428_5400767617933758236_nKalaja e Libohovës vazhdon të jetë shumë larg të qenit monument kulture. Gjendja e saj e mjerueshme dhe e kthyer në një “strehë” për kafshët ka vënë në lëvizje ekspertët, të cilët kanë hartuar projektin e radhës për restaurimin e saj.

E pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi pohon se Ministria e Kulturës i ka kushtuar këtij monumenti një vëmendje të veçantë pas shumë vitesh, pasi sipas saj kjo kala ishte lënë në harresë. “Kalaja e Libohovës nuk ka pasur asnjëherë një projekt restaurimi dhe as vëmendjen e duhur të institucioneve përgjegjëse përgjatë viteve të kaluara”, shprehet kryebashkiakja.

Ndërkohë, krejt të kundërtën pretendon inxhinieri Bexhet Çobani. Sipas tij, Bashkia e mëparshme e Libohovës nën drejtimin e të djathtëve ka hartuar një projekt restaurimi në vitin 2013, projekt i cili nuk u zbatua nga Ministria e Kulturës. Ndërsa, sipas arkitektit Kreshnik Merxhani, projekti i mëparshëm nuk ka qenë asnjëherë i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, ndërkohë që tashmë është miratuar dhe po pritet çelja e fondeve për zbatimin e një projekti me vlerë 18 milionë lekë (të reja).

Ndërkohë, projekti i hartuar nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës në datë 26.02.2013 është bërë objekt debatesh mes ish-kryetarit të Bashkisë Libohovë, Altin Çomo dhe ministres Mirela Kumbaro. Sipas Çomos, Bashkia Libohovë me anë të një shkrese zyrtare më 28 maj 2014 i ka kërkuar ministrisë restaurim të kalasë së Libohovës. Po ashtu, më 11 korrik 2014 bashkia drejton një tjetër kërkesë me shkrim ministrisë, ku bashkëngjit edhe një kopje të projektit dyfaqësh që mban një vlerë rreth 45 milionë lekë të vjetra.

Ajo që mbetet për t’u sqaruar është fakti se përse Bashkia Libohovë në atë kohë, nën drejtimin e të djathtëve këmbëngul për financim për një projekt të hartuar në 2013, ndërsa për herë të parë kërkesa për financim nga Ministria e Kulturës mban datën maj 2014. Pavarësisht pretendimeve të të gjitha palëve politike për restaurim të këtij monumenti, përsëri vazhdon që kjo kala të mbetet në një rrënojë./GSH