Sfida ndaj Izraelit, 5 arsye pse fiton Shqipëria
Kombëtarja shqiptare do të zbresë në fushën e “Elbasan Arenës” për të zhvilluar ndeshjen e radhës të kualifikueseve për Botërorin 2018. Kuqezinjtë do të sfidohen nga Izraeli, një kombëtare që ka objektiva të njëjtë me përfaqësuesen tonë.
Në letër, Shqipëria është një skuadër më e mirë se Izraeli dhe me të drejtë pritet një fitore, edhe pse në kampin kuqezi janë kujdesur që të mos bëjnë shumë premtime. Megjithatë ne po radhisim 5 arsye pse Shqipëria mund të fitojë sot (e shtunë), raporton T.CH.
1. Etrit Berisha dhe Bekim Balaj – Që në krye të herës duam të theksojmë se të gjithë lojtarët, këtu mund të përjashtohen dy-tre, janë duke u aktivizuar rregullisht me klubet e tyre, një gjë shumë pozitive për kombëtaren, por duam të veçojmë 2+1 lojtarë.
Për herë të parë pas një kohe të gjatë, Etrit Berisha vjen në kombëtare pasi është aktivizuar çdo javë me skuadrën e tij. Në 6 ndeshjet e fundit, gardiani i portës kuqezi ka pësuar vetëm 1 gol. Më mirë se ai ka bërë vetëm Thibaut Courtois, portieri i Chelseat që nuk ka pësuar fare në 6 ndeshjet e fundit (1 me Belgjikën dhe 5 me Chelsean). Kjo formë e Berishës padyshim se e bën skuadrën të ndihet më e sigurt.
Edhe Bekim Balaj po kalon në një formë të jashtëzakonshme. Dëmtimi i Armando Sadikut dhe rënia në formë e Sokol Cikalleshit shtuan kokëdhimbjet për De Biasin, që tashmë i falet formës së Balajt. Sulmuesi shkodran shënoi dy gola për katër minuta në ndeshjen që skuadra e tij Terek Grozni e fitoi ndaj Zenitit. Kjo dopietë çoi në kuotën e tetë golave dhe Balaj është në krye ta klasifikimit të golashënuesve në Rusi.
Një tjetër lojtar që po kalon në një periudhë të mirë është edhe Azdren Llullaku. Sulmuesi me origjinë nga Kosova u rikthye në kombëtare pas formës së mirë në kampionatin rumun me Gaz Metanin. Me 12 gola në 14 javë, 28-vjeçari i kombëtares shqiptare mban kreun e renditjes së shënuesve më të mirë në ligën e parë rumune.
2. Statistikat – Kjo është përballja e parë e Shqipërisë me Izraelin. Por, forma në ndeshjet e fundit i favorizon shumë kuqezinjtë. Në pesë ndeshjet e fundit zyrtare, Shqipëria ka një bilanc pozitiv me 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. E kundërta ndodh me Izraelin që ka 3 humbje, 1 fitore dhe 1 barazim në pesë sfidat e tyre fundit zyrtare.
3. Skuadër e padisiplinuar – Izraeli është një skuadër e padisiplinuar taktikisht që bën të pësojë shumë gola. Kundërshtarët e Shqipërisë kanë pësuar të paktën një gol në shtatë ndeshjet e fundit. Në kualifikueset e Europianit, në 10 ndeshjet e luajtura, ata shënuan 16 dhe pësuan 14 gola. Ndërsa, kuqezinjtë, në 8 ndeshjet e zhvilluara në kualifikueset e Europianit kanë pësuar vetëm 5 gola ndërsa shënuan 10.
4. Katër, numër fati – Shqipëria ka arritur dy fitore në ndeshjet e katërta kualifikuese nën drejtimin e De Biasit. Kombëtarja ka mundur 1-0 Slloveninë në fushatën e kualifikueseve të Botërorit të Brazilit dhe fitoi 2-1 ndaj Armenisë në kualifikueset e Europianit. Edhe kjo ndaj Izraelit është ndeshja e katërt.
5. Masat e sigurisë – Aktualisht, lojtarët izraelitë vetëm në tualete nuk shkojnë pa praninë e policisë (edhe për këtë nuk jemi shumë të sigurtë!). Të premten ata u stërvitën në “Elbasan Arena” ndërsa policia qëndronte në fushë. Hoteli i tyre është i rrethuar, ndërsa pikërisht për shkak të sigurisë u ndërrua edhe stadiumi ku do luhet kjo sfidë. Edhe për sot janë paralajmëruar masa të rrepta sigurie. Këto mund t’i shpërqendrojnë miqtë.