Sherr në ’18 Shtatori’, inspektorët e Tatimeve përplasen me pronarin e ‘Fast Food-it’

Nisi fillimisht si një përplasje verbale me debate të ashpra, por për pak degjeneroi në konfrontim fizik. Ngjarja ndodhi sonte në mbrëmje në lagjen ‘18 Shtatori’ në Gjirokastër.

Protagonistë të sherrit ishin inspektorë të Tatimeve. Burime të ArgjiroLajm.net thonë se inspektorët e Tatimeve, të ardhur nga Fieri, duke u hequr si klientë të zakonshëm, hynë në një “Fast Food” dhe po monitoronin nëse punonjësit lëshonin apo jo kupon tatimor.

Pas disa minutash pritje, ata vërejtën se për një klient nuk u lëshua kuponi tatimor. Atë çast ata ndërhynë dhe u prezantuan si inspektorë të Tatimeve dhe thanë se do të vendosnin gjobë.

Por pronari i biznesit u mbrojt me pretendimin se klienti nuk ishte larguar ende dhe vazhdonte të porosiste. Në këtë moment nisi debati i ashpër dhe gati përplasja fizike.

Ngjarja tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve dhe njerëzve në lokalet përreth. Ndërkohë policia nuk mbërriti për të ndërhyrë.
/ArgjiroLajm.net/