Sherr në Picar të Gjirokastrës, kushërinjtë zihen për qenin, plagoset me çifte 68-vjeçari

Një plagosje me armë gjahu ka ndodhur këtë paradite në fshatin Picar të Gjirokastrës. Mesohet se një banor i fshatit ka qenë duke përndjekur qentë e fshatit dhe i ka qëlluar me armë gjahu. 71-vjeçari A. M. ka qëlluar në drejtim të qenve, ndërkohë që shpërthimi i saçmës nga gryka e armës së gjahut ka dëmtuar kushëririn e tij, Siri Muro, i cili ishte në krah të agresorit të qenve.

Lëndimi nga saçmja ka qenë serioze, duke bërë që ai të dërgohet në Spitalin e Gjirokastrës për mjekim të mëtejshëm. Ndërkohë, policia ka shkuar në vendngjarje për të hetuar rastin në fjalë.

Gjirokastër/Informacion paraprak.

Rreth orës 10:05, në fshatin Picar, Gjirokastër, shtetasi H. M., 71 vjeç, banues në fshatin Picar, dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu qenin e shtetasit S. M., ku për pasojë ka mbetur i dëmtuar lehtë shtetasi S. M., 68 vjeç, banues në fshatin Picar, Gjirokastër.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilët falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale bënë të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut. Shtetasi i dëmtuar mori ndihmën e parë nga shërbimet mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të situatës.