Shëtitorja e Gjirokastrës, banorët: Rrezikohemi nga përmbytjet (VIDEO)

Banorët e lagjes “18 Shtatori” në Gjirokastër thonë se shëtitorja e re i lë banesat dhe bizneset e tyre nën nivelin e trotuarit, duke i rrezikuar nga përmbytjet.

Ky është një ndër investimet më madhore që është kryer në pjesën e re të qytetit. Por, banorët kishin shpresuar që kjo vepër e shumëpritur për gati 3 dekada të zgjidhte përfundimisht edhe problemin e disiplinimit të ujërave, me puseta të veçanta për çdo pallat.

“Është bërë një ngritje e bordurës. Tani, që të shkosh në dyqan duhen zbritur 3 shkallë. Rruga ka disnivel shumë të madh dhe kjo do të sjellë përmbytjen e dyqaneve. Mendonim se do të ishte për më mirë, por do të përmbytemi. Kjo nuk ka asnjë logjikë ndërtimore”, thonë banorët.

Pas bisedave me zyrtarë të bashkisë, banorëve u është premtuar zgjidhje, por, megjithatë, punimet vazhdojnë pa ndryshime. Projekti pritet të ndryshojë fizionominë e gjithë qendrës së poshtme të qytetit të Gjirokastrës si dhe të lehtësojë trafikun në këtë zonë./tch