Shfajësohet Rektori i “Eqrem Çabej”: Nuk dija gjë për dokumentarin pro Vorio-Epirit

98728Rektori i Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, Gëzim Sala ka reaguar pas skandalit me dokumentarin e prodhuar nga Departamenti i Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek, në të cilin i bëhet jehonë ushtarëve grekë dhe luftës italo-greke, duke mohuar të ketë pasur dijeni për të.

Përmes një njoftimi ai thotë se është njohur me ekzistencën e një dokumentari të tillë nëpërmjet medias, ndërsa shton se nuk ka asnjë dokument nga Departamenti i Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek, i cili është edhe prodhuesi i dokumentarit, mbi financimin e tij.

Sipas rektorit, vënia e logos së Departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek, është veprim individual i përgjegjësit të këtij departamenti Panajot Barka.

Deklarata e plotë e rektorit të Universitetit të Gjirokastrës Gëzim Sala
 Duke u nisur nga publikimi në median elektronike dhe të shkruar  mbi çështjen e skandalit të publikimit në faqen zyrtare të Universitetit “Eqrem Çabej” Gjirokastër, më specifikisht në faqen e kushtuar Departamentit të Gjuhës , Letërsisë dhe Qytetërimit Grek rektori i Universitetit“Eqrem Çabej” Gjirokastër Prof. Dr Gëzim Sala dha këtë deklaratë:
“ Jam njohur nëpërmjet medias televizive lidhur me problemin në fjalë, deklaroj me përgjegjësi institucionale se nuk disponoj asnjë dokument zyrtar nga ana e Departamentit të Gjuhës , Letërsisë dhe Qytetërimit Grek lidhur me përmbajtjen dhe financimin e këtyre dy dokumentarëve.

Gjithashtu deklaroj se hedhja e këtyre dy dokumentarëve me logon e Departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek dhe Universitetit “Eqrem Çabej” Gjirokastër nuk është bërë me miratimin e asnjë strukture akademike, shkencore dhe administrative të Universitetit “Eqrem Çabej” Gjirokastër por është një veprim individual i përgjegjësit të Departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek z. Panajot Barka.

Në kontekstin institucional jemi duke verifikuar problemin e krijuar dhe do të marrim masat e nevojshme për të nxjerrë përgjegjësit në mënyrë që në të ardhmen të mos përdoret institucioni për projekte që nuk kanë të bëjnë me misionin akademik të Universitetit “Eqrem Çabej” Gjirokastër. 

1933838_679607685509325_4974728869707185989_n