Shifra të frikshme/ Gjirokastra “hambari” i drogës, kanabisi u rrit me 7 herë më shumë
Në Gjirokastër, një prej rajoneve me sipërfaqen më të madhe të mbjellë me hashash vitin e kaluar, kreu i Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Ardian Çipa tha se policia duhet të drejtojë sytë nga vetja dhe të ndërshkojë efektivët që favorizojnë kultivimin.
“Pavarësisht se gjatë vitit 2016 janë marrë të gjitha masat nga Policia e Shtetit për të evidentuar, për të goditur dhe për të identifikuar autorët e kultivimit të kanabisit, shihet një rritje në Qarkun e Gjirokastrës me 7.2 herë më shumë sesa gjatë vitit 2015. Duhet të evidentojmë ata punonjës policie, sepse ne duhet ta fillojmë punën nga pastrimi i radhëve policisë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale, për t’i vënë ata para përgjegjësisë penale dhe pastaj të kërkojmë tek institucionet e tjera bashkëpunimin konkret dhe transparent”, tha Ardian Çipa.
Përfaqësuesi i PAMECA-s tha se 30% e sasisë së asgjësuar në vitin 2016 ishte vetëm në rrethin e Gjirokastrës dhe 50% e sasisë së kultivuar vinte nga fara e re.
“Vetëm për vitin 2016, lëndët narkotike të asgjësuara në këtë qark ishin 80% e të gjithë sasisë në shkallë vendi. Ne do të duhet të jemi të fukusuar edhe te rezultatet prej goditjes së korrupsionit në radhët e policisë, gjë që gjatë vitit të kaluar ishte diçka që gjithkush mund ta vinte re lehtësisht”, tha Gilles Locchi, specialist i PAMECA-s.
Në takim u tha se, me gjithë aksionet e policisë, sipërfaqja e mbjellë është shtuar në Gjirokastër, Libohovë, Dropull, Lunxhëri, Cepo, Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë dhe rrethinat e tyre./tch