Shkaqet shkencore që i bëjnë njerëzit të bien në dashuri
Sipas kërkimeve, hormonet tuaja, interesat si dhe tipare të tjera që nuk ju shkojnë ndër mend, të gjitha pra të marra së bashku, mund të përcaktojnë se cilët persona bien në dashuri me ju.
Disa hulumtues kanë dalë në konkluzionet e shkaqeve që i bëjnë dy njerëz të afrohen me njëri-tjetrin. Është shumë e rëndësishme që këto shkaqe të qartësohen, pasi partnerët ndikojnë te shëndeti, lumturia dhe karriera e tyre.
Nëse ngjani
Dekada studimesh që kanë treguar se klisheja se të kundërtat tërhiqen, nuk është edhe aq me vend. Partnerët që janë të ngjashëm për nga personaliteti, kanë më shumë mundësi të ndihen të lumtur dhe të afërt me njëri-tjetrin. Kjo për shkak se ngjashmëria ia bën më të lehtë të mirëkuptohen.
Nëse ngjani me prindërit e tij/saj
Mund të tingëllojë e çuditshme, por psikologu David Perrett dhe kolegët e tij nga Universiteti Shën Endrju, kanë zbuluar se njerëzit tërhiqen nga persona që kanë të njëjtën ngjyrë flokësh dhe sysh si prindërit e tyre të seksit të kundërt.
Kështu, një djalë tërhiqet nga një vajzë që i ngjan së ëmës së tij dhe një vajzë, nga një djalë që i ngjan të atit të saj.
Studiuesit kanë zbuluar se vajzat e lindura nga një prind me moshë mbi 30-vjeçare, impresionohen më pak nga të rinjtë dhe anojnë nga meshkujt më të mëdhenj në moshë.
Nëse keni aromë të mirë
Një studim nga Universiteti i Kalifornisë Jugore ka zbuluar se gratë që ishin në fazë të përshtatshme për të ngjizur fëmijë, preferonin bluzat e veshura nga meshkuj me nivel më të lartë testosteronesh. Kjo bazohet te instinkti i hormoneve më të larta.
Nëse mbani duart dhe qafën jashtë
Ekspertët e gjuhës së trupit thonë se pozicionimi flet më shumë sesa fjalët. Nëse i mbani duart në xhepa dhe shpatullat nga brenda, kjo tregon se nuk jeni të interesuar. Por nëse flisni me duar dhe keni një qëndrim të hapur, tregon se jeni të gatshëm.
Shikimi në sy
Psikologu i Universitetit të Masaçusetit, Joan Kellerman, zbuloi nëpërmjet analizimit të 72 çifteve se shikimi në sy për dy minuta i lidh njerëzit shumë. Ndjesia e dashurisë dhe afeksioni që këta persona ndiejnë, shtohet nga shikimi në sy.
Ngrohtësia në kuptimin e parë të fjalës
Psikologu John Bargh nga Jeilli (Yale University) bëri një eksperiment në të cilin pjesëmarrësit mbanin pije të ngrohta dhe të ftohta, e më pas caktonin nëse personaliteti i tjetrit ishte i ngrohtë, apo jo.
Pjesëmarrësit që mbanin pije të ngrohta, gjykonin se personi kishte një personalitet të ngrohtë, pasi kjo lidhej me mënyrën e paracaktuar të mendimit. Nëse dilni me dikë për një kafe në vend të një takimi për akullore, do të ndiheni më të afërt përballë njëri-tjetrit.
Nëse keni një qen
Eksperimentet e Universitetit të Miçiganit zbuluan se gratë tërhiqeshin më shumë nga meshkujt që kishin një qen. Kjo kur diskutohej për lidhje afatgjata. Sipas kërkuesve, ky mendim vjen sepse të kesh një qen, do të thotë se personi është i gatshëm të ndërmarrë angazhim për dikë tjetër.
Nëse jeni njëlloj të pashëm
Kërkimet mbi bukurinë dhe dashurinë janë të hershme. Ato tregojnë se personat që e konceptojnë veten si më të pashëm, janë më gjykues ndaj personave që nuk e arrijnë të njëjtin nivel bukurie me ta. Sa më i pashëm të jetë dikush, aq më pak kënaqet me të tjerët. Por kjo vlen vetëm për ata që janë shumë simpatikë, njerëzit e tjerë preferojnë të bien në dashuri me dikë që është njëlloj nga pamja e jashtme.
Nëse bëni botoks
Në një studim evropian rreth moshës së fytyrës dhe nivelit të tërheqjes, kërkuesit donin të përcaktonin nëse botoksi i ndihmon femrat të gjejnë partnerë. Ata zbuluan se femrat që bënin ndërhyrje në fytyrë për të pakësuar moshën në dukje, ndiheshin më tërheqëse dhe më të shëndetshme dhe po të njëjtën gjë mendonin edhe të tjerët për to.
Nëse luani muzikë
Kërkuesit francezë zbuluan se praktikimi i muzikës lidhet me përzgjedhjen seksuale, shkruan Shqip. Kjo është arsyeja përse muzikantët janë ata që tërheqin më tepër vëmendjen e femrave, pasi përçojnë mesazhin e të qenët në harmoni dhe në gjendje të shprehin ndjenjat e tyre.
E kuqja
Femrat që veshin ngjyrën e kuqe, perceptohen si më seksuale, pasi është pikërisht kjo ngjyrë ajo që tërheq vëmendjen e një partneri të mundshëm. Po ashtu, edhe femrat tërhiqen nga meshkujt që veshin ngjyrë të kuqe. /Telegrafi/