Shkatërrim i pronës publike, si përfundoi në komisariatin e Gjirokastrës vëllai i Vangjel Tavos

Policia e Gjirokastrës vë nën akuzë për shkëtarrim pronës publike me pasoja jo të lehta vëllain e deputetit Vangjel Tavo në Gjirokastër. Sipas njoftimit të policisë dhe kallëzimit të bërë në prokurorinë e Gjirokastrës bëhet fjalë për shtetasin Grigor Tavo vëllai i deputetit të LSI në këtë qark.

Policia sqaron se Grigor Tavo është proceduar pasi është administrator i një firmë për nxjerrjen e inerteve në Jorgocat të Gjirokastrës, firmë e cila ka dëmtuar mjedisin duke mos respektuar lejen përkatëse. Grigor Tavo është shoqëruar për disa orë në polici, por më pas është vendosur që ai të hetohet në gjendje të lirë.

Materialet për kallëzimin ndaj Grigor Tavos janë depozituar dy ditë më parë në prokurori ndërsa së bashku me të i akuzuar është edhe shtetasi N.L. Grigor Tavo njihet si një biznesmen i rëndësishëm në qarkun e Gjirokastrës ndërsa është i përfshirë dhe në sponsorizime pranë klubit Luftëtari si president./Lapsi.al