Shkelet moratoriumi, vazhdon gjuetia e kafshëve të egra në Zagorie

GjuetiaEdhe pse moratoriumi i vendosur nga qeveria për ndalimin e gjuetisë është ende në fuqi, madje u shty për 5 vjet të tjera, ai nuk po zbatohet nga të gjithë gjahtarët, qofshin këta profesionistë apo amatorë.

Në zonën e Zagories gjuetia ndaj kafshëve të egra vazhdon pa mëshirë. Ata që shkelin moratoriumin janë jo vetëm gjahtarët vendas, por edhe të tjerë që vijnë nga zonat pranë Zagories.

Në adresë të Libohova Online kanë mbërritur disa ankesa nga banorë të Zagories, të cilët kërkojnë që ta shtrojmë këtë problematikë, me shpresë se vëmendja e autoriteteve shtetërore do të jetë më e lartë.

Ata thonë se gati përditë po gjuhen kafshë të egra si lepuri, derri apo sorkadhja, duke rrezikuar kështu zhdukjen e këtyre specieve dhe shkatërrimin e florës dhe faunës së Zagories.

Pak muaj më parë edhe shoqata e gjuetarëve në Gjirokastër dha alarmin se në këtë rreth nuk po respektohej moratoriumi. Policia dhe Inspektoriati i Mjedisit janë përgjegjësit kryesorë për zbatimin e këtij moratoriumi, edhe pse mbetet problem evidentimi i shkeljeve në zonat e thella malore.