Shkrihen 7 ujësjellësat e bashkive të qarkut Gjirokastër, miratohet drejtori i ndërmarrjes së madhe

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës vijon të çojë përpara skemën e re të organizimit të ndërmarrjeve të ujësjellësave në Shqipëri. Sot në Gjirokastër është zgjedhur drejtuesi ri i ndërmarrjes së madhe publike të ujësjellësit me të 7 bashkitë e këtij qarku. Si propozim aksionerit kryesor që ka 51% të kuotave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, ishte Gentian Llogo, i cili është miratuar më pas edhe nga aksionerët e tjerë. LLogo aktualisht është drejtor i Ujësjellësit të Gjirokastrës, si dhe bashkëkryetar i Partisë Socialiste në këtë bashki. Shoqëria e re e krijuar për të 7 bashkitë e qarkut do të ketë edhe një bord drejtues, në përbërje të të cilit janë 4 përfaqësues të ministrisë dhe Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizime, si dhe 3 përfaqësues nga bashkitë e qarkut.

Bashkitë që do të kenë përfaqësues janë vetëm Gjirokastra, Përmeti dhe Dropulli, pasi në ndërmarrjen e madhe të krijuar kanë më shumë se 5% të abonentëve. Tepelena, Memaliaj, Këlcyra dhe Libohova kanë më pak se 5%. Anëtarët e bordit drejtues nuk janë caktuar ende, por pritet të zyrtarizohen në fillim të vitit tjetër. Përqëndrimi i ndërmarrjeve të ujësjellësave në rang qarku nuk është miratuar në të gjithë vendin. Edhe pse kryeministri Rama dhe ministrja Belinda Balluku ushtruan jo pak presion mbi kryebashkiakët, deri më tani të paktën Tirana, Berati e Vlora janë në listën e atyre bashkive që nuk pranuan shkrirjen. Organizimi i ri mendohet është bërë në emër të një menaxhimi më cilësor të burimeve, për të ulur borxhet dhe për të rritur shërbimin ndaj konsumatorëve. Megjithatë kjo është vetëm në letër.

Se si do të funksionojnë në realitet ndërmarrjet e reja të ujësjellësave kjo mbart shumë të panjohura. Një tjetër këndvështrim i kësaj lëvizje është jo thjesht kontrolli më i madh i qeverisë në financat e këtyre shoqërive, por se në këtë mënyrë i hapet rruga privatizimit të ndërmarrjeve në një kohë të mënvonshme. Megjithatë kjo ende nuk artikulohet zyrtarisht nga qeveria. Shumicën në çdo rast në ndërmarrjet e reja e ka aksioneri kryesor, me 51%, që është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës.

Drejtuesi i ndërmarrjes së re ka një mandat 3-vjeçar, por në çdo rast ai mund të shkarkohet nga bordi drejtues, 4 anëtarë të të cilit janë të ministrisë dhe AKUM. Idenë e krijimit të ndërmarrjeve të mëdha e të bashkuara të ujësjellësave në vitin 2015 e kishte hedhur publikisht për herë të parë Koço Kokëdhima, ish-deputeti i PS-së, i cili u kritikua jo pak asokohe. Por rreth 8 vite më pas duket se jemi sërish në atë ide; centralizim i pushtetit dhe fuqisë ekonomike te qeveria qëndrore. /argjirolajm.net