Shoferi në koma pas aksidentit në Gjirokastër, të afërmit: Hiqini arrestin!

IMG-20160724-WA00031-640x340Familjarët e Irfan Hasanajt, 31- vjeçarit me origjinë nga Gjilani, kanë kërkuar t’u mundësohet transportimi i tij për në Zvicër, shtet ku ata jetojnë prej vitesh. Drejtues i “Nissan”-it me targa zvicerane ZH 750960, ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës, pasi mjeti i tij u përplas me furgonin me targa AA 760, LI që drejtohej nga 58-vjeçari Hasan Dedja.

Si pasojë e këtij aksidenti, mbetën të vdekur bashkëshortja dhe djali i këtij të fundit, ndërsa humbi jetën edhe një fëmijë i familjes kosovare. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se është duke u vlerësuar e gjithë klauzola ligjore, me qëllim që 31- vjeçarit Hasanaj t’i jepet mundësi shpëtimi.

Aktualisht ai është arrestuar nga Policia e Gjirokastrës, dhe në masë arresti ai nuk mund të kalojë dot kufirin. Ndaj siç mësohet, organi i akuzës, me kërkesë të familjarëve të të plagosurit, por duke vlerësuar edhe faktin se jeta njerëzore është më e rëndësishme në këto momente, do të kërkojë lirimin e tij. Vetëm në këtë mënyrë, të plagosurit rëndë do t’i hapet drita jeshile për ta kaluar në kufi.

“Kërkesa për pavlefshmërinë e arrestimit ndaj shtetasit kosovar, ndërmerret në një kohë, kur atij i luhet jeta për shkak të gjendjes mjaft të rënduar shëndetësore. Gjendja e tij është shumë e rëndë dhe ndodhet në koma prej momentit të aksidentit dhe nuk ka njohur përmirësim. Për këtë, familjarët e tij, të cilët kanë ardhur nga Kosova dhe Zvicra, kanë kërkuar ndërhyrje më të specializuar në Zvicër, me shpresën se ai do ta kalojë rrezikun.

Por një veprim i tillë, konsiderohet i pamundur në kushtet kur Policia e Gjirokastrës caktoi masën e arrestit për të, së bashku me shoferin e furgonit, me të cilin u përplas, si shkaktarët e ngjarjes tragjike në kthesën e Mashkullorës, 4 km në veri të Gjirokastrës, në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë. Rrjedhimisht kur humanizmi i tejkalon arsyet ligjore, organi i akuzës në Gjirokastër do të kërkojë lirimin e tij, për t’i hapur rrugë kështu, daljes nga Shqipëria të Irfan Hasanajt dhe kurimin e tij në Zvicër”, u shprehën burime nga Prokuroria e Gjirokastrës./panorama