Shpallen fituesit në universitete, shumë maturantë mbeten jashtë listave

Pamje-nga-Universiteti-i-GjirokastresShpallen fituesit në 13 universitetet publike. Duke filluar nga sot, 6 shtator, deri më datë 8 shtator 2016 kandidatët kanë afat të bëjnë ankimimin e tyre pranë universiteteve përkatëse nëse kanë pakënaqësi me rezultatet që kanë marrë. “Gazeta Shqiptare” publikon listën jopërfundimtare të kandidatëve fitues të Universitetit të Tiranës, përkatësisht fituesit e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në të gjitha programet e tij të studimit(Histori, Gazetari, Arkeologji etj.), Fakultetit të Drejtësisë si dhe Fakultetit të Shkencave Sociale për të 6-ta programet e studimit (Punë Sociale, Shkenca Politike, Filozofi etj.). Po ashtu, në tabelat bashkëngjitur janë dhe fituesit e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik si dhe fituesit në Universitetin e Sporteve.

Një garë shumë e fortë ka qenë në Fakultetin e Drejtësisë, ku kanë aplikuar 6.800 kandidatë dhe prej tyre kanë fituar 660 kandidatë. Edhe në Fakultetin e Arkitekturës kanë garuar gati 1.800 maturantë, por kanë fituar 121 prej tyre. Kandidatët e tjerë, të cilët kanë pakënaqësi për pikët që kanë marrë, kanë të drejtën e ankimimit brenda tri ditëve, 6-8 shtator. Ndërkohë që IAL-të detyrohen të shprehen me vendim të argumentuar lidhur me ankimimin, brenda dy ditëve punë nga dita e paraqitjes së ankesave. Vendimi i universitetit ankimohet në gjykatën kompetente. Pas procesit të ankimimit, në datën 11 shtator universitetet shpallin listën përfundimtare të fituesve, dhe javën që vjen nis regjistrimi në sekretaritë mësimore të fakulteteve përkatëse.

REGJISTRIMI NË SEKRETARI
Të gjithë kandidatët që kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e parë dhe janë shpallur fitues nga IAL-të, duhet të kryejnë procesin e regjistrimit online dhe me dokumentacion në sekretaritë mësimore të universiteteve, në programin e studimit ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet, në datat 13-20 shtator 2016. Kandidati që është shpallur fitues në më shumë se një program studimi, lejohet të regjistrohet vetëm në një program studimi ku është fitues. Sekretaritë mësimore do pranojnë dokumentacionin për të gjithë kandidatët fitues.

Këtë vit, sipas udhëzimit të MAS-it, ndryshe nga vitet e tjera, kandidatët nuk kanë të drejtën të ndërrojnë degën ku regjistrohen, nëse duan të aplikojnë për kuotat bosh në raundin e dytë. Në pikën 20 të udhëzimit të MAS-it përcaktohet se: “Sekretaritë mësimore të fakulteteve të IAL-ve mbajnë regjistër të veçantë për dorëzimin e dokumentacionit me të dhënat mbi datën dhe orën e dorëzimit, si dhe nënshkrimin e kandidatëve të regjistruar. Kandidati, pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion dhe ka nënshkruar në regjistër, nuk ka të drejtë ta ndryshojë programin e studimit për atë vit akademik.” Dokumentacioni që duhet të dorëzohet gjendet në tabelën bashkëngjitur shkrimit.