Shpërblimi për festat, ja skema për pensionistët

pensionisti-3Rreth 560 mijë pensionistë do të përfitojnë nga vendimi i qeverisë për shpërblimet e fundvitit, veçse masa e tij do të varet nga kushti i të qenit ose jo kryefamiljar. Qeveria, e cila vendimin e saj nuk e miratoi në mbledhjen e fundit, por që ministrat e kanë firmosur njëri pas tjetrit, ka përcaktuar edhe skemën se si do të veprohet për ndarjen.

Të gjithë ata që janë kryefamiljarë do të përfitojnë shpërblim prej 3 mijë lekësh. Shifra e atyre që futen në këtë kategori është rreth 80 mijë pensionistë, për të cilët fondi që nevojitet është 2.4 milionë dollarë. Në rastin kur në familje janë dy pensionistë, njëri prej tyre, kryefamiljari, do të marrë 3 mijë lekë, kurse tjetri 2 mijë lekë.

Një tjetër element që ndan ata që janë kryefamiljarë dhe jo lidhet direkt me përfitimin që marrin si kompensim për dritat. Pra kush përfiton shumën prej 640 lekësh që jepet si kompensim për energjinë prej vitesh, përfiton automatikisht edhe shpërblimin 3 mijë lekë. E ndërsa janë 80 mijë kryefamiljarë, janë rreth 480 mijë pensionistë të tjerë që do të përfitojnë 2 mijë lekë si shpërblim fundviti.

Ky vendim për këtë kategori do t’i kushtojë qeverisë gati 9.6 milionë dollarë. Pra në total vetëm për pensionistët fondi është rreth 12 milionë dollarë. Kjo masë shpërblimi është quajtur nga Kryeministri si e denjë dhe larg filozofisë së lëmoshës.