Shpëtohet me helikopter një prej barinjve të bllokuar në Nemërçkë

-66610323-sheepKanë rezultuar të pasuksesshëm tre aksione shpëtimi për 2 barinj të bllokuar prej 3 ditësh në malin Nemërçkë, në fshatin Çarshovë të Përmetit, si pasojë e reshjeve të dendura të bores, prandaj mesditën e sotme është nisur drejt malit Nemërçkë një helikopter i Ministrisë së Brendshme, i cili përveçse transportoi ushqime për barinjtë e bagëtitë, arriti të transportonte edhe njërin prej barinjve.

Duke qënë se bariu ka shfaqur probleme me shëndetin, ai është dërguar menjëherë për mjekim në qendrën mjekësore në Çarshovë.

Gjithashtu bëhet me dije se helikopteri i MB-së ka bërë një manovër të të rrezikshme si pasojë e dëborës, në kohën kur po shpëtohej bariu.

Të afërmit e barinjve deklaruar sot se, prej tre ditësh barinjtë vuajnë mungesën e ushqimit, po ashtu edhe bagëtitë. Të afërmit por edhe pronari i stanit apeluan për një ndërhyrje nga ajri, me qëllim shpëtimin e tyre. Mundësia e vetme e shpëtimit, sipas pronarit të stanit është që të kalojnë nga Greqia.

“Situata është e rënduar, barinjtë e bagëtitë janë të bllokuar prej tre ditësh. Të treja ekspeditat për shpëtimin e tyre dështuan, presim me padurim një ndërhyrje nga ajri, që të mund t’ju çohet ushqim dhe të shpëtohen”, tha pronari i stanit, Elton Caci.

Pak orë pas apelit, nga Tirana u nis edhe helikopteri i Ministrisë së Brendshme.

Kujtojmë se të bllokuar në stan ndodhet tashmë vetëm një person dhe 400 krerë bagëti, ndërkohë që trashësia e borës në mal shkon deri në 1 meter.