Shqipëri-Greqi zyrë të përbashkët në Kakavije për krimin ndërkufitar

KakaviGreqia dhe Shqipëria do të krijojnë një qendër të përbashkët në pikën kufitare të Kakavijes për shkëmbimin e informacioneve për të adresuar më mirë krimin ndërkufitar.

Ideja për krijimin e kësaj qendre erdhi nga takimi në Athinë i dy ditëve më parë mes nëndrejtorit të Policisë së Shtetit Ardian Çipa dhe homologut të tij grek. Mediat helene kanë raportuar për një listë me 590 shqiptarë që fshihen në Shqipëri, të cilët akuzohen se kanë kryer vepra të ndryshme penale në Greqi. Kjo listë me shqiptarët e kërkuar iu dorëzua autoriteteve shqiptare dhe zyra që do të ngrihet në Kakavije do të shërbejë pikërisht për këtë problem.

Një problem tjetër i ngritur nga Greqia ka të bëjë me kamionë dhe makina të vjedhura në shtetin fqinj, që sipas grekëve, këto automjete lëvizin ligjërisht dhe pa asnjë problem në vendin tonë. Qendra që do të ngrihet në pikën kufitare do të shërbejë për të adresuar këto problematika të përbashkëta dhe për evidentimin e personave të kërkuar e automjeteve të vjedhura.