Shqipëri-Serbi, nis fushata në rrjetet sociale, ja si do injorohet himni serb

Untitled4-658x349Na ndajnë ende dhe 3 javë nga Shqipëri-Serbi, por ndeshja më e ndier e eliminatoreve të Euro 2016 tashmë ka filluar. Tifozët e kanë shënuar 8 Tetorin me të kuqe në kalendar dhe të gjithë janë në kërkim të një bilete për në “Elbasan Arena”, mision jashtëzakonisht i vështirë e madje në kufijtë e së pamundurës për shumicën duke parë kërkesën e jashtëzakonshme.

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Organet kompetente shtetërore kanë nisur që tani planet për masat e sigurisë si dhe një fushatë sensibilizimi për tifozët.

Shqipëri – Serbi pavarësisht ngarkesës së madhe emocionale kurrsesi nuk duhet të njolloset nga cdo akt i shëmtuar që do të cënonte imazhin e Shqipërisë por dhe mund të ndëshkojë rëndë llogaritë e Kombëtares drejt realizimit të ëndrrës së madhe për t’u bërë pjesë e Europianit që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Francë.

Të ndërgjegjshëm për dicka të tillë duket se janë edhe pjesa më e madhe e tifozëve Kuq e Zi, që e kuptojnë se pavarësisht se kjo ndeshje i kalon kufijtë e rivalitetit sportiv, nuk duhet në asnjë mënyrë të cënohet me asnjë episod të ngjashëm me ato të huliganizmit serb në Beograd.

Një provë është dhe nisma që po shfaqet me shpejtësi në rrjetet sociale, ku faqja “Albania Team” po lancon inisiativën që në momentin e ekzekutimit të himnit serb, të gjithë tifozët t’i kthehjnë shpinën fushës së blertë.

Në postimin në fjalë që po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale saktësohet se nuk bëhet fjalë për racizëm dhe as për dhunë por thjesht për injorimin e himnit serb.

Sa e drejtë mund të jetë një veprim i tillë mbetet në gjykimin e gjithsecilit, por e sigurt është se do të ishte shumë më i pranueshëm se britmat histerike që shurdhuan stadiumin e Partizanit të Beogradit në 14 Tetorin e kaluar në momentin e ekzekutimit të himnit shqiptar, si dhe fakti që shqiptarët janë të ndërgjegjshëm se duhet të gjejnë një ide të zgjuar për të shfaqur rivalitetin ndaj serbëve, ashtu sic rezultoi një ndër gjetjet më inteligjente, dhe droni i Ismail Morinës në kryeqytetin serb./Super Sport/