Shqipëria e para ndër 3 destinacionet turistike më emocionuese në Evropë

turizmi-300x200“Lajme të mira për turizmin para sezonit: Shqipëria renditet e para ndër 3 destinacionet më emocionuese dhe të veçanta në Europë, nga një rrjet i agjensive skandinave të turizmit”.

Kështu shkruan të enjten kryeministri Edi Rama.

Kur duhen edhe disa javë që i ngrohti të vijë plotësisht në vend, disa media të huaja kanë nisur të ftojnë njerëzit për të vizituar Shqipërinë.

Gazeta e njohur gjermane, Tagesspiegel ka bërë një reportazh të gjatë për Shqipërinë.

Gazetari Timo Reuter e nis udhëtimin me një furgon të vjetër, pa klima. Për t’u freskuar, dera lihet hapur.

“Improvizimi është pjesë e jetës së përditshme këtu,” shkruan ai.

Ai shkruan se Shqipëria ka qenë një vend i izoluar, ndërsa pasojat e diktaturës po luftohen edhe sot nga njerëzit.

“Ndërsa vendi ka parë rritje të qëndrueshme ekonomike, Shqipëria vazhdon ende të vuajë nga korrupsioni, varfëria dhe infrastruktura e dobët”.

“E gjitha kjo dëmton zhvillimin ekonomik të turizmit të rëndësishëm,” shkruan gazetari.

Sipas tij, një strategji turizmi nuk ka pasur, ndërsa pastrimi i parave dhe korrupsioni ka bërë që të mbijnë kudo në bregdet ndërtime të vogla dhe shpesh të pambaruara prej betoni.

Ashtu siç ndodh me thuajse çdo gazetar të huaj, edhe ai mbetet i befasuar nga disa pjesë të bregdetit në jug, të paprekura dhe mbresëlënëse.

Po ashtu ai shkruan për dashurinë e shqiptarëve për Mercedes-in, për ushqimin e mirë dhe të freskët, për faktin që pak njerëz flasin gjermanisht ose anglisht.

Ai përmend sidomos bashkëjetesën fetare dhe një pjesë të shkrimit e titullon: “Rehatia, tipike shqiptare”.

“E gjithë kjo ndjenjë kombëtare, pluralizmi i feve dhe rëndësia e vogël e tyre reflekton historinë shqiptare. Romakët, bullgarët, serbët dhe më pas osmanët kanë kontrolluar këtë vend. Gjurmët e këtyre të fundit janë ende qartësisht të dukshme. Në fund erdhi edhe diktatura e Enver Hoxhës, që ndaloi çdo praktikë fetare.

“Rehat” nuk do të thotë vetëm relaksim dhe ngadalësim, por është edhe një shprehje e emigrimit të brendshëm, diçka që i ka bërë shqiptarët të pavarur dhe të dallueshëm, pavarësisht sundimit të huaj dhe diktaturës. Kjo mund të shpjegojë edhe ekzistencën në disa zona të largëta të veriut të ligjit arkaik të gjakmarrjes. Në shumicën e zonave, shqiptari tipik është një miks krenar mes Lindjes dhe Perëndimit, një përzierje dashamirëse mes hapjes dhe relaksimit,” shkruan gazetari.

Në fund ai thotë se pasuria dhe varfëria janë kaq pranë njëra- tjetrës në Shqipëri.

Shqipëria ka jetë, nuk është e errët, pavarësisht paragjykimeve, shton gazetari.

“’New York Times’ e përzgjodhi vjet Shqipërinë në vendin e katërt të vendeve që duhen vizituar. Ditët e udhëtarëve të vetmuar në tokën e shqiptarëve duket se janë të numëruara”.