Shqipëria, miqësore me Kanadanë më 5 Qershor

auto_Shqipoaa1452688490-658x438-300x200Nuk është Gjermania, por Kanadaja në axhendën e përgatitjeve kuqezi për Euro 2016.

Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur marrëveshjen për një takim me Përfaqësuesen Kanadeze në datën 5 qershor, vetëm 6 ditë para debutimit absolut të Kombëtares në Europian në ndeshjen me Zvicrën në Lens.

Takimi do të luhet në mbyllje të grumbullimit që kuqezinjtë do të zhvillojnë para Europianit në Austri dhe mund të konsiderohet si testi gjeneral i De Biasit për Francë 2016. Kombëtarja kanadeze është një ekip pa emra të njohur dhe në vendin e 85 në renditjen e Fifas, 49 shkallë më poshtë se Shqipëria dhe që si suksesin më të madh ka pjesëmarrjen në Kupën e Botës 1986.

Një kundërshtar më shumë në përgatitjet kuqezi drejt Europianit, takimi i dytë tashmë i zyrtarizuar miqësor para Europianit pas atij me Austrinë që do të luhet në 26 mars, ndërkohë që Federata Shqiptar që është duke diskutuar dhe me disa Federata të tjera të rëndësishme për takime të tjera miqësore që mund të luhen në muajt Maj e Qershor.

Ironi e fatit, por ka qenë pikërisht fiksimi i datës me Kanadanë që ka bërë të pamundur realizimin e një përballjeje me Gjermaninë , pasi FSHF ishte në negociata dhe me Kampionët e Botës që të vetmen datë të lirë kishin pikërisht atë për të cilën ishte fiksuar që më parë përballja me Kanadanë, 5 qershorin./SuperSport