Shqipëria po plaket, Gjirokastra një nga dy qarqet me lindshmërinë më të vogël
Në gjashtëmujorin e parë, lindshmëria pësoi rënien më të madhe që nga viti 1990. Ulja me 29% e lindshmërisë së bebeve në raport me fundin e vitit të kaluar, është një episod i frikshëm për zhvillimet demografike në vend. Bashkë me emigracionin e lartë, rënia e lindshmërisë në nivelet më të larta historike është tregues i qartë se shoqëria po përjeton një fazë depresioni.
Sipas një raporti të INSTAT Gjirokastra dhe Vlora janë dy ndër qarqet më goditiura nga fenomeni i uljes së lindshmërisë. Lindshmëria ka pësuar rënie drastike në të gjitha qarqet e vendit në gjashtëmujorin e parë, por më drastik fenomeni ka qenë në qarqet e Gjirokastrës dhe të Vlorës.
Nga të dhënat e INSTAT rezulton se numri i lindjeve në qytetin jugor të Gjirokastrës ra me 43.2%, ndjekur nga Vlora me 33.5%, dhe Fieri me 31%. Numri i lindjeve pësoi rënie dyshifrore në të 12 qarqet e vendit, me një mesatare 27%. Ekspertët e Institutit të Statistikave, në projeksionet e tyre për popullsinë deri në vitin 2031, kanë parashikuar pesë lloje të ndryshme të ecurisë demografike në 12 qarqet e vendit.
Në Tiranë, Vlorë dhe Durrës, stabilizimi ose rritja e popullsisë pritet të nxitet nga migrimi i brendshëm, si dhe nga emigrantët e kthyer në rastin e Vlorës. Grupi i dytë përbëhet nga Kukësi dhe Dibra, që pavarësisht nga një tejkalim në diferencën e lindjeve kundrejt vdekjeve, do të provojnë rënie të fortë të popullsisë për shkak të balancës shumë negative të migrimit të brendshëm që përfaqëson të paktën trefishin e emigrimit jashtë.
Berati dhe Fieri formojnë grupin e tretë. Pavarësisht një niveli negativ të rritjes natyrore, zvogëlimi i popullsisë në këto qarqe do të vijë kryesisht nga migrimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare.
Grupi i katërt përfshin Korçën dhe Gjirokastrën, të cilat janë të prekura njësoj nga rënia natyrore në nivele negative, për shkak të migrimeve ndërkombëtare dhe të brendshme. Lezha, Elbasani dhe Shkodra formojnë grupin e fundit të karakterizuar nga një tendencë drejt një numri të balancuar të lindjeve dhe vdekjeve. Rënia demografike deri në vitin 2031 nxitet kryesisht nga migrimi ndërkombëtar.