Si gënjen kryetari i Bashkisë Dropull kur kapet me ‘presh në duar’ për lejen që i ka dhënë gurores së Tavos (VIDEO)

Rasti i denoncuar në emisionin ‘Fiks Fare’, ku Bashkia Dropull ka dhënë një leje abuzive për guroren e vëllait të Vangjel Tavos, tregon ndër të tjera edhe injorancën e kryebashkiakut Arhilea Deçka dhe të nënkryetarit Mihal Mano. Nuk është injorancë nga padija, por e kanë nga halli sepse janë kapur në shkelje të ligjit për të favorizuar vëllain e deputetit dhe ortakun e tij në biznes. Në videon më poshtë, të regjistruar fshehtas nga ‘Fiks Fare’, kryetari i Bashkisë Dropull, thotë se me mademet e gurit është marrë nënkryetari dhe se ai nuk ia ka haberin fare.

Pra, kryetar bashkie që nuk e ka haberin çfarë ndodh në institucionin e tij. Pasi gazetarja insiston, kryebashkiaku bën sikur nuk kupton dhe flet për drutë e zjarrit, ndërkohë që leja abuzive është dhënë për gurore.  I kapur gafil, Ahilea Deçka thotë se ka dhënë leje gurorjeve për ‘nevoja personale’ pasi lejet e tjera i jep Ministria e Mjedisit. Pra, shfrytëzim për nevoja personale i një sipërfaqeje prej 4 hektarësh siç pretendon Inspektoriati i Mjedisit dhe Pyjeve ne Gjirokastër. E çuditshme! 4 hekatar sipërfaqe është për biznes, jo për nevoja personale. Sidoqoftë, injoranca e tij vazhdon edhe më tej. Ai thotë se nuk dinte që lejet për shfrytëzimin e sipërfaqeve për nxjerrje guri i jepte Ministria e Mjedisit. Gazetarja e pyet se ti ke dy vjet kryetar bashkie, nuk e ke mësuar ligjin? “Ku ta dija unë si funksionon…” shprehet kryebashkiaku i Dropullit.

Pra, është ajo që thamë më sipër. Injoranca e tij nuk vjen nga padija, por nga fakti se është kapur gafil, duke dhënë një leje mjedisore klienteliste dhe në shkelje të plotë të ligjit. Nga ana tjetër vërtetohet edhe njëherë ajo që është thënë prej kohësh, se kryebashkiaku i Dropullit është thjesht një ‘kukull’ në duart e Vangjel Tavos, ndonëse është kandiduar prej Partisë Demokratike. Shihni më poshtë videon, ku demonstrohet qarta injoranca e qytetarit të parë të Bashkisë Dropull. ©ArgjiroLajm.net