S’ka më tendera, bashkia e kryen vetë pastrimin e mbetjeve urbane në Libohovë

mbeturinatPrej pak kohësh pastrimi i mbetjeve urbane në Libohovë nuk kryhet më nga një kompani private, por është marrë përsipër nga vetë bashkia, në dispozicion të së cilës janë një numër i shtuar punonjësish.

Sipas njoftimit të shpërndarë në Facebook, Bashkia Libohovë thotë se me këtë mënyrë menaxhimi të mbetjeve urbane situata nuk është më problematike si dikur. Më poshtë njoftimi i plotë i bashkisë:

Mbetjet urbane të hedhura nëpër përrenj e rrugica, si dhe pirgjet që nuk pastroheshin prej ditësh tashmë janë një problem i së shkuarës. Prej pak kohësh Bashkia Libohovë e kryen vetë pastrimin e qytetit, jo duke e tenderuar këtë shërbim në një kompani private, me përjashtim të transportit për të cilin jemi duke punuar që t’i japim një zgjidhje përfundimtare.

Dukshëm na rezulton se po kryhet një punë shumë e mirë. Mbeturinat pastrohen në kohë, pa qëndruar për ditë me radhë në vendgrumbullimet e përcaktuara. Siç kemi bërë deri më tani, do vijojmë punën për pastrimin e çdo zone ku ka mbetje të akumuluara prej vitesh.

Pjesë e aksioneve të pastrimit ka qenë gjithashtu edhe shtëpia e lindjes së Avni Rustemit. Ndërsa jemi në pritje të projektit dhe fondit për restaurimin e saj, çlirimi që i bëmë nga mbetjet dhe hedhurinat është tejet i rëndësishëm.

Mjedisi i pastër është një çështje e të gjithëve prandaj bashkëpunimi me qytetarët është i domosdoshëm. Të kontribuojmë së bashku për një Libohovë më të pastër.