Skandal me Gjykatën e Gjirokastrës, liron doganierin dhe dy policët që lejuan kalimin e kamionit me 1.2 ton kanabis në Kakavijë

Doganieri dhe dy inspektorët e Policisë së pikës kufitare të Kakavijës, të cilët u akuzuan si të përfshirë në trafikimin e sasisë rekord prej 1.2 ton kanabis në Greqi, janë liruar nga Gjykata e Gjirokastrës. Ngjarja ndodhi më 17 shkurt të këtij viti, ku kamioni me lëndë narkotike u kap nga doganierët grekë pasi kishte kaluar palën shqiptare. Më pas, më 25 prill, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, u arrestuan doganieri Ylli Rustemi, si dhe inspektorët e Policisë së Kufirit në Kakavijë, Blerim Mëhilli dhe Vladimir Skrapalliu.

Fillimisht, ata u arrestuan me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, por më pas vetë Prokuroria e Krimeve të Rënda u tërhoq nga kjo akuzë, duke lënë në fuqi vetëm atë me “Shpërdorim detyre”. Për këtë arsye, dosja kaloi në kompetencë të Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër, shkruan Panorama.

Tre të akuzuarit dolën dje për vlerësimin e masës së sigurisë, ku pala mbrojtëse kërkoi hetim në gjendje të lirë. Në fund, gjyqtarja caktoi “detyrim paraqitje” për doganierin dhe dy inspektorët e policisë.

Në bazë të arsyetimit që dha Gjykata, Blerim Mëhilli, polic i Kakavijës (i proceduar penalisht edhe më 2009 dhe i larguar nga radhët e Policisë në atë periudhë për një vepër penale dhe i rikthyer 3 vjet më vonë) do të hetohet në gjendje të lirë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Për të njëjtën vepër penale do të gjykohen edhe dy të tjerët. Kamioni me drogë, në bazë të hetimeve të Prokurorisë, rezulton se nuk i është nënshtruar kontrollit me skaner për të evidentuar ngarkesën me lëndë narkotike, e cila ka qenë vendosur në një hapësirë të parapërgatitur në pjesën e përparme të karrocerisë së kamionit. Rezulton se kamionit nuk iu mat gjatësia e jashtme e karrocerisë me hapësirën e brendshme.

Diferenca midis dy gjatësive do të ishte e mjaftueshme për të kuptuar se në karroceri ka ndërhyrje. Gjithashtu nuk u krye as kontrolli me qenin antidrogë që është i destinuar për kontrolle të tilla. Kalimi i kamionit me një sasi rekord prej 1.2 tonë lëndë kanabis sative u trajtua me mjaft jehonë në mediat greke.

Kjo, pasi mjeti me targa shqiptare kaloi pa problem në doganën shqiptare të Kakavijës, ndërsa pala greke, pasi e kaloi në skaner, zbuloi drogën e fshehur. Shoferi arriti të arratisej duke hyrë në tokën shqiptare, pasi doganierët grekë i bënë shenjë për ta kaluar në kontroll të imtësishëm.

Ndërkohë, pas arrestimit të doganierit dhe inspektorëve të policisë, u shpall në kërkim Qamil Muçaj, banor i fshatit Hekal, Fier, pronari dhe shoferi i kamionit që u kap me kanabis./Panorama