Skandali me Ansamblin e Dropullit, Anton Tuni nën hetim. Policia i përgjigjet Vangjel Tavos

Policia e Gjirokastrës ka reaguar sot zyrtarisht për çështjen e bërë publike një ditë më parë, ku dyshohet se Ansambli i Dropullit është tërhequr momentet e fundit nga koncerti në Sheshin Skënderbej, pas një kërkese të deputetit Vangjel Tavo.

Policia thotë se prindërit e 4 fëmijëve janë paraqitur vetë në komisariat për të bërë kallëzim. Ndërkohë prokuroria po heton për “shpërdorim detyre” Anton Tunin, drejtuesin e Ansamblit të Dropullit. Më poshtë deklarata e plotë e Policisë Gjirokastër.

Lidhur me deklaratën e kandidatit për deputet Vangjel Tavo, publikuar në rrjetet sociale, se Policia e Gjirokastrës po ushtron presion për të bërë përgjegjës atë vetë, për largimin e grupit të fëmijëve të valleve të Dropullit në koncertin me rastin e inagurimit të sheshit “Skënderbej”, sqarojmë se:

Në datën 11.06.2017 në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër janë paraqitur për kallëzim 4 prej prindërve të fëmijëve të grupit të valleve të Dropullit dhe kanë deklaruar se ‘fëmijët kanë shkuar në Tiranë në datën 08.06.2017. Pas disa provave të zhvilluara nga fëmijët në sheshin “Skënderbej”, në datën 09.06.2017 shtetasi Andon Tuni (përgjegjësi) e ka kthyer grupin e fëmijëve në Gjirokastër’.

Në D.V.P Gjirokastër nuk janë thirrur fëmijë për të deklaruar, por theksojmë se në polici janë paraqitur për të bërë kallëzim 4 prindër.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në respekt të opinionit, sqarojmë gjithashtu se Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër nuk ka patur asnjë kontakt me kandidaten për deputete Artemisa Dralo, përmendur nga z.Tavo.