Skema e vrasjes së policit të RENEA-s në Lazarat, zbardhen emrat e aturorëve [VIDEO]

Vrasja e policit te RENEA-s ka qenë një kurth I parapërgatitur. Sipas dëshmisë të një gruaje për hetuesit lidhur me këtë ngjarje, vrima në murin rrethues nëpërmjet të cilit vrasësit kanë qëlluar mbi patrullat e policës, është hapur në 04:00 të mëngjesit, pra vetëm 5 orë para atentatit. Në pamjet e fokusura nga kamera te televizionit A1Report duket qarte vrima e hapur nga vrasësit për të qëlluar me snajper dhe në të njëjtën kohë për të qenë më të mbrojtur.

Hetuesit e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë identifikuar sot në orët e para të mëngjesit pika të sakta nga ku është qëlluar mbi efektivët e RENEA-s një ditë më parë në Lazarat, ku nga një plumb me snajper gjeti vdekjen speciali Ibrahim Basha dhe mbetën të plagosur 2 kolegë të tij Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj.
 
Vrasësit kanë qëlluar nëpërmjet një vrime të hapur në një mur rrethues: policia tashme e ka prova se pozicioni për snajper është përgatitur 5 orë para atentati. Konkluzioni është që sulmi ndaj patrullave të policisë ka qenë një kurth, e ku nuk përjashtohet mundësia që të ketë qenë një kurth me pagesë.

Pjesë e kurthit kanë qenë edhe të shtënat me armë zjarri që kanë filluar rreth orës 02:00 e kanë vijuar gjatë gjitha natës. Ku gjatë hetimeve janë konstatuar 10 vatra të shtënash dhe policia ka gjetur mbi 100 gëzhoja plumbash të kalibrave të ndryshëm. 

Pas të shtënave në ndihmë të policisë në Lazarat kanë shkuar forcat e FNSH me dy autoblinda dhe një makinë Volswagen nga ku doli efektivi, Ibrahim Basha me dy kolegët e tij, të cilët u bënë edhe objektiv të vrasësve.

Fakti se killerat qëlluan vetëm në drejtim të automjetit Volswagen dhe jo blindave tregon se kanë qenë të mirëpërgatitur dhe me synim për të goditur efektivët e policisë.

Ibrahim Basha bashkë me dy kolegët e tij të tjerë kishte mbërritur në vendngjarje me një autokolonë të RENEA-s: dy mjetet e para ishin të blinduara, i treti ku udhëtonte ai bashkë me Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj ishte një furgon blu Volkswagen pa asnjë lloj mbrojtje anti-plumb.

Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda 2 personat kryesorë të grupit prej 21 vetësh që hapën zjarr me policinë dhe akuzohen si autorë të vrasjes me dashje të specialit të RENEA-s Ibrahim Basha janë vëllezërit Albjon dhe Alban Aliko.

Në mesditë babai i vëllezërve, Adil Aliko ka bërë dhe një negociatë telefonike për dorëzimin e djemve të tij Policisë së Shtetit, por gjithçka ka dështuar pasi ata nuk kanë pranuar dorëzimin.
 
Grupi hetimor sqaron se veç murit rrethues që dyshohet se është përdorur nga të rinjtë si një front për të qëlluar mbi policinë janë identifikuar dhe 10 vende të tjera në të cilat janë gjetur gëzhoja armësh dhe municione. Dhe tregon pikërisht itinerarin qe vrasësit kanë ndjekur bashkë me bashkëpunëtorët e tyre për tu larguar nga vendi i vrasjes, duke vazhduar së qëlluari.

Pamjet që shihni me rreth të kuq realizuar sot në mëngjes nga gazetari i A1Report Dashamir Biçaku dhe operatori Mirsal Hajdarmataj i përkasin murit rrethues të banesës në hyrje të Lazaratit, nga ku u qëllua me snajper në drejtim të furgonit nga personat e shpallur në kërkim.

Sipas Prokurorëve në këtë skenë krimi dhe 10 vendet e tjera që janë gjetur gëzhoja armësh, i përkasin një kurthi të mirëmenduar më parë nga të rinjtë për të futur brenda rrezes së zjarrit uniformat e policisë e cila sapo është futur në fshat ka rënë në breshërinë e armëve.
 
Pjesë e ekzaminimit është bërë dhe furgonin i policisë me targë MB 060 AA në të cilin udhëtonin efektivët e RENEA-s mes tyre Ibrahim Basha, Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj.

Provat materiale të sekuestruara nga hetuesit në këto vendngjarje janë 100 gëzhoja automatiku kallashnikov, një granatë dore si dhe një armë e ftohtë thikë.

Po ashtu është bërë e mundur të sekuestrohet dhe kjo kamionçinë pasi sipas uniformave blu ky mjet është përdorur nga personat e shpallur në kërkim për të bllokuar rrugën hyrëse që lidh qendrën e Lazaratit.

Ndër ekzaminimet që po kryhen në terren janë dhe ato për gjurmët e barutit të mbetura në rrobat dhe trupin e të ndaluarve nga policia, për të parë nëse këta shtetas kanë përdorur apo qëlluar me armë prej të martës në mbrëmje kur nisi shkëmbimi i zjarrit në fshatin Lazarat./A1 Report!