Spiro Ksera rrezikon dënimin me 7 vjet burg. Flet avokati: S’ka lidhje me akuzat
Ish-ministri i Punës Spiro Ksera i arrestuar një ditë më parë, rrezikon dënimin me 7 vite burg dhe me gjobë nga 300 deri në 1 milion lekë. Kështu parashikohet në nenin 248 të Kodit Penal. Por duhet që akuzat e prokurorisë të provohen në gjykatë.
Ksera akuzohet për shpërdorim detyre në rastin e një tenderi me vlerë 300 milionë lekë të vjetra për një aktivitet me komunitetin rom.
Bashkë me Kserën u arrestuan dhe disa persona të tjerë ish-punonjës të ministrisë së drejtuar prej tij.
Sipas organit të akuzës lekët u lëvruan me dokumente fiktive për një aktivitet që nuk u zhvillua kurrë. Ish-ministri do të dalë para gjykatës nesër, për t’u njohur me masën e sigurisë.
Pas mbërritjes në Drejtorinë e Policisë Tiranë ish-ministri Spiro Ksera ka marrë takim me avokatin e tij mbrojtës, Genc Gjokutaj.
Duke folur për mediat avokati tha se Ksera do të dalë nesër para gjykatës për t’u njohur me masën e sigursë.
Sipas Gjokutajt ish-ministri nuk ka lidhje me procedurat e tenderimit për të cilat po akuzohet, pasi me to është marrë stafi teknik. Po kështu Gjokutaj tha se Ksera nuk është marrë asnjëherë në pyetje nga prokuroria që pas kallëzimit të KLSH-së.