Stina e verës, probleme në furnizimin me ujë në Libohovë

tmp_3759-received_264887403876693_20160721030952614-517892334Si pothuajse çdo vit gjatë stinës së verës Libohova përballet me vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm.

Më problematike situata paraqitet në disa lagje të sipërme, por edhe për banorët e pallateve, të cilët në shumë raste nuk arrijnë dot të mbushin dot depozitat.

Gjatë verës prurjet në burimin e Zhepës, burimi kryesor që furnizon Libohovën me ujë, ulen ndjeshëm, ndërkohë që konsumi është edhe më i lartë pasi uji shfrytëzohet gjithashtu për vaditje të të mbjellave. Sidoqoftë nga viti i shkuar ka një përmirësim të vogël pasi është ndërhyrë në prerjet e lidhjeve të paligjshme, që ishin një problem më vete.

Rrjeti i ujësjellësit ka nevojë për investime, të cilat vitet e fundit kanë qenë sporadike dhe pa mundur t’i japin zgjidhje përfundimtare këtij problemi. Libohova ka nevojë për një rrjet të ri ujësjellësi, një investim milionësh që s’mund të kryehet as me të ardhurat e bashkisë dhe as me të ardhurat e ndërmarrjes së ujësjellësit.

Kjo e fundit ka një borxh rreth 70 milionë lekë të vjetra energji të papaguar ndë vite te Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Nga ana tjetër numri i debitorëve vazhdon të jetë i lartë edhe pse herë pas here janë ndërmarrë fushata për prerjen e lidhjeve te konsumatorët që kanë detyrime.

Tarifa mujore për abonentët familjarë është 450 lekë të reja, ndërsa për ata që furnizohen 24 orë tarifa është 600 lekë të reja. Kryesisht ujë 24 orë kanë banorët e lagjeve të poshtme, që kanë marrë linja direkt nga burimi i Zhepës.

|Libohova Online|