Studimi/ Gjirokastra, qarku me konsumin më të madh, varfërinë më të ulët

Një publikim i fundit, i përbashkët i Bankës Botërore dhe INSTAT, “Portreti i varfërisë dhe pabarazia në Shqipëri”, tregon hartën e varfërisë në vend (fshatra e qytete)

Studimi është i bazuar në Censusin e vitit 2011 dhe Anketën e Matjes së Nivelit të Jetesës 2012, po ashtu dhe në vëzhgimet me familjet për pjesën më të madhe të rajoneve dhe i është përshtatur ndarjes së re territoriale me 61 bashki, por duke ruajtur dhe ndarjen e vjetër me 373 njësi vendore, në mënyrë që të prodhojë rezultate, që janë më domethënëse për politikëbërjen sot.

Sipas këtij studimi zonat me varfërinë më të ulët në vend ndodhen në Jug të vendit, në Gjirokastër. Komuna më pak e varfër në Shqipëri është Zagoria, ku niveli i varfërisë është vetëm 2.5%. Nga 10 njësitë më pak të varfra, 7 janë në Gjirokastër dhe 3 të tjerat në Korçë, Sarandë e Përmet. Po në Gjirokastër janë dhe njësitë që kanë konsumin më të lartë për frymë në vend, ku kryesojnë Zagoria, Pogoni, Odrie, Antigona, Dropulli i Sipërm, qyteti i Gjirokastrës etj.