Sulm për të shmangur rikandidimin? Bime: Për sot le ta lemë me kaq

flamur-bime3-1024x719Unë falënderoj Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, që më në fund dhe me kërkesën time, gjeti kohën të vijë dhe mbërriti në Gjirokastër”, – thotë Flamur Bime në një bisedë telefonike me redaksinë e DITA-s dje në mbrëmje.

“Ne me dokumente dhe me fakte para opinionit publik në përgjithësi dhe atij gjirokastrit në veçanti, do të argumentojmë se pretendimet e ngritura janë të pabaza”, – shton kryebashkiaku i Gjirokastrës në intervistën që botohet sot e plotë në DITA.

I pyetur nga gazetari Xhevdet Shehu nëse ka koment lidhur me zërat që e lidhin padinë pak muaj para zgjedhjeve lokale me shmangien nga rikandidimi, z.Bime thotë ndër të tjera:

“Është ende herët për të folur, për sot le ta lemë me kaq”.

IKMT-ja (Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit), kallëzoi sot penalisht kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës dhe disa zyrtarë të tjerë.

Kallëzimi lidhet me një vendim të miratuar nga Bime në kohën kur drejtonte KRRT-në e këtij qyteti.

Bëhet fjalë për ndërtimin e një pallati 7 katësh në lagjen “18 shtatori”. Leja është dhënë me afat një vit në vitin 2009, por më pas është lejuar edhe një shtesë prej 5 katesh, – raporton DITA.

IKMT-ja ka kallëzuar po ashtu edhe Kryeinspektorin dhe inspektorët e IKMT -së së Bashkisë Gjirokastër si dhe Ilir Çumakun, ish-sekretar i KRRT-së në Bashkinë Gjirokastër, Antoneta Çakon, ish-sekretare e KRRT-së në Bashkinë Gjirokastër dhe ish-anëtarët e Sekretariatit Teknik të KRRT-së, Bashkia Gjirokastër.

Akuza është: “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim”.

Pas Shpëtim Gjikës së Vlorës dhe Baftjar Zeqos së Fierit, Bime është kryebashkiaku i tretë socialist që paditet.