Takimi me emigrantët, kreu i PS Gjirokastër: Frymëzim për fitoren e 18 qershorit
Kreu i Partisë Socialiste Gjirokastër, Flamur Golemi shprehet i entziasmuar pas takimit të zhvilluar në Athinë me emigrantë të qarkut Vlorë e Gjirokastër.
Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ai thotë se frymëzimi për të vazhduar reformat dhe transformuar Shqipërinë duhet kërkuar pikërisht tek emigrantët, që sipas tij janë modeli i shqiptarëve që ja nisën nga hiçi, ndërsa sot janë integruar plotësisht në vendet ku jetojnë.
“Më 18 qershor Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për gjykimin e ftohtë të emigrantëve, për kontributin e tyre me votë, prandaj i ftoj që përmes një bashkimi të ri, t’i besojmë sërish Edi Ramës drejtimin e Shqipërisë dhe vazhdimin e reformave të thella. Çdo alternativë tjetër nuk është gjë veçse kthim pas dhe humbje kohe. Vota për Partinë Socialiste është votë për një Shqipëri që shkon përpara, për një Shqipëri në Bashkimin Europian, për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, për Shqipërinë që ia kemi borxh edhe emigrantëve dhe padyshim fëmijëve tanë”, shkruan Golemi.
Ai ndodhej në Athinë bashkë me ministrat Kumbaro e Gjiknuri dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Socialiste.