“Tapitë” që mund të ringjallin Gjirokastrën

1919482_974444015937099_604316674782921519_nNga Mero Baze

Aty ku tatëpjeta e “Sokakut të të marrëve” mbaron, fillon shtëpia e Kadareve. Si për të të hutuar dhe me arkitekturën, porta e madhe e saj, me një hark rreth 3 metra, në fakt nuk është e “gënjeshtërt”, pasi nuk është rruga për të hyrë në shtëpi, por për të dalë pas shtëpisë. Porta hyrëse është një derë e vogël, ku duhet të përkulesh pak për të hyrë, sikur ta kenë bërë për të ta ulur kokën me zor.

Shtëpia ja ka dalë të ribëhet siç ka qenë shekullin e shkuar, para se të digjej dikur nga lufta dhe më pas nga rrëmujat tona të viteve ‘90-të.

Shahin Kadareja, vëllai i Isamilit, e mban mend mirë gjithçka dhe nuk gjen asnjë defekt nga rikonstruksioni i saj. Restauratori Agron Doraci, është një shok i tij i fëmijërisë, që e ka punuar me shumë dashuri dhe shumë pak lekë për atë punë që ka bërë. Shtëpia ka në hyrje të saj një pllakë të vitit 1779, që dëshmon se është ndërtuar nga tre ustallarë, Mihos, Gjikas dhe Kolas.

Shtëpia padyshim po ndërtohet për të nderuar Ismailin, por ajo shtëpi do ishte e varfër pa Shahinin dhe Kakun,  siç thirret motra problematike e Ismailit, personazh dhe në librat e tij. Të dy kanë epërsitë e tyre të vogla ndaj Ismailit, që e xhindosin atë nëse ja thua, siç kanë humorin e hollë dhe nderimin e thellë për të. Për të njohur Ismailin duhet të njohësh ata të dy, që janë aq të pamëshirshëm ndaj tij dhe aq të pakursyer për ta mbrojtur atë dhe adhuruar.

Mbaj mend diku në vitin 2002, kur ishte duke u zgjedhur presidenti i Republikës, dhe siç ishte bërë zakon, liderët tanë i kërkonin Kadaresë çdo herë të pranonte dhe ai refuzonte.

E pyeta Kakun paksa i bezdisur.

-Përse nuk pranon ky Ismaili të bëhet president, i thashë, se na luajti mendsh?

-Nuk do, tha Kakuja me qetësi. Nuk ka kompetenca presidenti ynë.

-Si nuk ka kompetenca, i thashë unë i çuditur dhe fillova t’ia numëroj si idiot të gjitha kompetencat e presidentit.

-Nuk i quan ato, tha Kakuja. Ai quan kompetencë vetëm dënimin me vdekje. Atë e paska heq Europa. Ai do vetëm një kompetencë, t’i falë jetën dikujt, ose t’ia marrë.

E tha me një qetësi që më ftohu, jo se ishte e vërtetë, por se ishte e vetmja penel, që me një të lëvizur të dorës, të jepte portretin e gjeniut tonë, zemërak, hijerëndë, dhe indiferent ndaj përditshmërisë sonë banale, që e trajtojmë si kasapin e mishit të lagjes, me thashethemet tona vulgare.

Duket që Ismaili nuk është rritur i vetëm brenda atyre mureve.

Por, përtej asaj shtëpië që tani është një destinacion turistik më shumë, për ata që vizitojnë Gjirokastrën, ky qytet ka shanse të reja për të prodhuar një mozaik muzeumesh. Shtëpia e Kadaresë, e dekoruar sot me pikturat e mahnitëshme të Bashkim Ahmetit, një tjetër gjeni i këtij qyteti, ndoshta është në kulmin e saj. Dhjetëra portrete të Kadaresë dhe stilizime me figurën e tij dhe Gjirokastrës, mbushin muret e shtëpisë, si për ta fronëzuar arsyen përse po kthehet në shtëpi muze. Nëse ka një shans të mirë për të investuar qeveria në këtë rast, është që shumë nga ato piktura t’i blejë dhe t’i lërë aty ku janë, si pasuri e Bashkisë së Gjirokastrës dhe vlerë e asaj shtëpie.

Por, vetëm pak metra para se të shkosh tek shtëpia e Kadareve, është shtëpia e Ficove, një derë e rëndë, që ka ka prodhuar po aq histori për vendin tonë. Pak më poshtë është shtëpia e Eqerem Çabejt, dhe më tutje e Musine Kokalarit. Shtëpia e Angonatëve, një kështjellë moderne si pallat mbretëror, e përshkruar mahnitshëm tek “Shtëpia e Angonatëve” e Kadaresë,  është më lart. Shtëpia e Enver Hoxhës është në krah të gjimnazit. Shtëpia e Topullajve në krye të anës lindore të qytetit, ndërsa ajo e Zekatëve në perëndim të tij.

Vetëm një qytet si Gjirokasta mund të ketë fuqinë të prodhojë aq shumë emra të rëndë për historinë e këtij vendi në një faqe të gurtë qyteti, rrotull “Sokakut të të marrëve”. Nëse mund të bësh realisht një muze të historisë së Shqipërisë, më kollaj e ke të kthesh në muze shumë nga këto shtëpi të Gjirokastrës, që kanë lindur njerëz që kanë bërë historinë e Shqipërisë, me të mirat dhe të zezat e tyre.

Sot ata vlejnë si histori dhe ky qytet, që mezi po mbahet në këmbë nga varfëria, fle mbi një histori përrallore, që mund të ringjallet me pak kujdes.

Për herë të parë disa investitorë të mençur, nuk po i drejtohen betonit për të bërë hotele të shëmtuara, por po blejnë shtëpitë e famshme për t’i bërë hotele. Dragua ka bërë hotelin “Kalemi 2”, pas suksesit të parë me një shtëpi karakteristike, ndërsa përballë tij një “mejhane” tipike gjirokastrite, kishte filluar e gëlonte nga turistët deri më 2 të natës duke pirë nga një gotë verë apo raki me djathë.

Kalaja e Gjirokastrës, një nga kështjellat monumentale të Evropës, dhe nga më të ruajturat e Ballkanit, është për fat ende në këmbë. Një galeri pikturash që ka pasur duket se është mbyllur, ndërsa jeta kulturore e qytetit është ende larg Korçës apo Fierit. Qyteti është në zgrip për të mbijetuar nga turizmi apo për të vazhduar migrimin e njerëzve me tru, drejt Tiranës apo Athinës.

Shansi i tij i vetëm është historia e tij dhe ai qytet mund t’ia dalë, nëse ja del ta ringjallë historinë e vet pa komplekse, ashtu siç ka qenë. Shtëpia e Kadareve është një lajm i mirë për mijëra turistë të huaj, që e njohin këtë vend prej Kadaresë, dhe për fat nuk dinë shqip të lexojnë përpjekjet tona për ta përbaltur atë. Ai është fati i Shqipërisë dhe tani po kthehet të bëhet fat i qytetit që e lindi.

Gjirokastra është qyteti më i mahnitshëm i Shqipërisë, më hijerëndi dhe i vetmi që të dëshmon me arkitekturën e tij, se çfarë ka bërë njeriu për të ndërtuar një qytet të pasur. Por tani hipotekat e atyre gurëve nuk vlejnë aq shumë, pasi janë rrënuar. Fati i saj, është që Gjirokastra ka hipotekën e njerëzve më të shquar të këtij vendi dhe me atë mund t’ia dalë të ribëhet zonjë me historinë e saj.

Gjirokastër, më 30 Janar 2016