Tavo nis fushatën me një premtim që s’e mban dot

Kandidati për deputet i LSI-së në Gjirokastër, Vagjel Tavo, gjatë një takimi elektoral në fshatin Arshi Lengo, pas nisjes zyrtare të fushatës elektorale, ka bërë publikisht para kamerave një premtim që me siguri do ta shkelë në ditët e ardhshme

“Nuk është në tipin tim dhe nuk do vazhdoj të merrem me asnjë kandidat. Të jeni të bindur për këtë. Gjatë gjithë fushatës elektorale do merremi me njerëzit, me problematikat e zonës dhe do angazhohemi seriozisht për të zgjidhur problemet”, ka thënë Tavo para banorëve.

Jo më larg se fillimi i kësaj jave, Tavo sulmoi nga studion e Vizion Plus kandidaten e PS-së, Mirela Kumbaro. Ndonëse nuk e përmendi me emër, ai foli për kandidatë që kujtojnë se “Gjirokastrën ia ka lënë amanet babai” duke iu adresuar indirekt Kumbaros.

Sulmet ndaj ministres së Kulturës vijuan dy ditë më parë edhe përmes Alpo Televizion, media e kontrolluar prej LSI-së.

Pas zyrtarizimit të listës së kandidatëve nga Partia Demokratike, me siguri që do të ketë sulme edhe ndaj kandidatëve të saj. Kështu që premtimi i Tavos për të mos u marrë me kandidatët ka gjasa të mos mbahet, aq më tepër që kjo është në një farë mënyre betejë “për jetë a vdekje” për LSI-në. Pas marrëveshjes Rama-Basha, LSI dhe partitë e tjera të vogla rrezikojnë të penalizohen me më pak mandate deputetësh.

/ArgjiroLajm.net/