Tavo qetëson tifozët e Luftëtarit: Milinkoviç nuk largohet
Luftëtari është padyshim ekipi surprizë në këtë sezon në Kategorinë Superiore duke i befasuar të gjithë sportdashësit me lojën e bukur dhe me rezultatet pozitive. Kohët e fundit në klubin gjirokastrit kanë qarkulluar zërat se trajneri serb Milinkoviç do të largohet nga drejtimi i bluzinjëve drejt një destinacioni tjetër. Në një intervistë për “Zona Gol” presidenti i Luftëtarit Z.Grigor Tavo i ka mohuar kategorikisht këto zëra duke deklaruar se trajneri Milinkoviç do të vazhdoj të jetë pjesë e gjirokastriteve dhe nuk ka shanse që ai të largohet.
Prononcimi për “Zona Gol”
Për menaxhimin e klubit
“Organizimi dhe serioziteti i punës të ndjekur nga ana jonë si dhe fati i mirë që trajneri dhe futbollistët e ardhur nga firma menaxhuese kanë qenë në nivelin e duhur duke punuar mjaft mirë me ekipin dhe futbollistët, kanë qenë çelësi i suksesit të Luftëtarit.”
Për lëvizjet në merkato për sezonin e ardhshëm
“Ju a konfirmoj që trajneri nuk ka për të lëvizur, ka një kontratë me klubin dhe është një njeri profesionist. Komunikojmë shumë mirë dhe nuk lëviz nga Luftëtari sepse respekton kontratën. Edhe në qoftë se do të jetë e nevojshme rinovimi i kontratës pas disa vitesh, besoj se do të merremi vesh.”
Përbërja e ekipit për sezonin e ardhshëm
“Bazohemi tek 70% e futbollistëve aktual që kemi, dhe do të vëmë piketat tona për të marrë futbollistë të tjerë që do të na nevojiten.”
Akademia e Luftëtarit
“Është e vërtetë që jugu i Shqipërisë “pjell” futbollistë, i kemi organizuar akademitë dhe jemi në muajin e tretë, kemi pasur një sukses duke arritur të regjistrojmë afro 240 fëmijë. Presim dhe trajner të huaj për organizime më të suksesshme të akademisë.”
Mbështetja e tifozëve.
“Këtë mbështetje nuk e kam parë as në vitet 1999-2000. Tifozët e Gjirokastrës na mbështesin maksimalisht, me Partizanin kishim rreth 6000 tifozë. Në çdo ambient në çdo lokal në Gjirokastër, Luftëtari është bërë objekt bisede dhe diskutohet për ecurinë e skuadrës”.