Të shkarkuarit e LSI-së në Gjirokastër, si ‘ranë’ brenda disa ditësh drejtorët e spitaleve

Shkarkimi i Krenar Kullës nga posti i drejtorit të spitalit ishte i fundit në serinë e shkarkimeve të drejtuesve të LSI-së në dy spitale të tjera të qarkut Gjirokastër.

Kujtojmë që është shkarkuar gjithashtu disa ditë më parë edhe drejtori i spitalit të Përmetit, Elton Ismaili, si dhe drejtoresha e spitalit të Tepelenës, Ediola Braha, e cila është gjithashtu e dyta në listën e kandidatëve për deputetë të LSI-së në qarkun Gjirokastër. E

përbashkëta tjetër e tyre, përveçse janë shkarkuar nga detyra, është se përveç pozicionit si drejtorë spitalesh, janë gjithashtu kryetarë të LSI-së.

Krenar Kulla është kryetar në Gjirokastër, Ediola Braha për Tepelenën dhe Elton Ismaili për Përmetin. Motivacioni i shkarkimit të tyre ka qenë pjesëmarrja në fushatën elektorale të LSI-së, duke shfrytëzuar postin publik për llogari të partisë që përfaqësojnë. Shkarkimet janë firmosur nga ministri teknik i Shëndetësisë, i propozuar prej PD-së, pas paktit Rama-Basha.

Ky shkarkim ishte një goditje jo e paktë për LSI-në në qarkun Gjirokastër pasi humbet kështu ndikimin tek qindra njerëz që Kulla, Braha dhe Ismaili kishin në varësi në spitalet që drejtonin.

Ky kontigjent njerëzish ishin target grupi kryesor prej të cilëve LSI synonte të merrte vota, duke qenë se ushtronte presion për vendin e punës.

Ndërkohë që veç drejtorëve të spitaleve Gjirokastër, Përmet dhe Tepelenë, u shkarkua gjithashtu edhe drejtori i Postës Shqiptare të Tepelenës, Florian Dajka, për shkak të pjesëmarrjes në fushatën e LSI-së. Pritet që në fillim të javës së ardhshme të këtë shkarkime të tjera nga radhët e drejtuesve të LSI-së në Gjirokastër.

/ArgjiroLajm.net/