Televizioni i LSI-së sulmon sërish Bashkinë Libohovë (VIDEO)

Alpo Televizion në Gjirokastër i kontrolluar nga LSI-ja ka vazhduar sërish sot me sulmet ndaj Bashkisë Libohovë e në mënyrë të veçantë kryebashkiakes, Luiza Mandi. “Shqetësim” për ta mbetet sërish papunësia në Libohovë. Po për të njëjtën çështje është raportuan një ditë më parë dhe rreth një muaj më parë nga ky televizion.

Në kronikën e sotme, shoqëruar me strishat “Bashkia Libohovë delegon përgjegjësitë në Gjirokastër”, Alpo Televizion raporton se investimet e qeverisë shqiptare në Libohovë “nuk e ngrenë aspak nivelin ekonomik të zonës”, pasi punëtorët janë të gjithë të ardhur. Ndonëse flitet në emër të “qytetarëve të Libohovës”, për ta ilustruar këtë “shqetësim” gazetarja është mjaftuar vetëm me prononcimin e një banori, i njëjti që kishte folur për Alpo Tv edhe një ditë më parë në kronikën për shtëpinë e lindjes së Avni Rustemit.

Më tej jepet prononcimi i kryebashkiakes Mandi, e cila ndër të tjera ka thënë se për të zbutur papunësinë, shpesh Bashkia Libohovë ka ndërmjetësuar me firmat e industrisë fason që operojnë kryesisht në Gjirokastër. Prej kësaj deklarate të saj ka buruar edhe strisha abuzive e kronikës, “Bashkia Libohovë delegon përgjegjësitë në Gjirokastër”. Detaj më vete që ilustron amatorizmin dhe kronikat “fletë-rrufe” të televizionit të LSI-së është edhe strisha poshtë emrit të Luiza Mandit, ku fjala Libohovë është shkruar pa gërmën “ë” në fund, siç shihet në foton dhe videon më poshtë.

Libohova Online nuk merr përsipër të bëj avokatinë e Luiza Mandit apo Bashkisë Libohovë, siç Alpo Televizion i bën përditë Zamira Ramit dhe LSI-së, dhe as nuk tenton të mohojë problemet me të cilat përballet sot Libohova, probleme të cilat janë pasqyruar herë pas here edhe në kohën “Sali Ramës” apo në kohën e “Edi Berishës”, “Lulzim Metës” ose “Ilir Bashës”.

Por gjykojmë se lexuesit tanë duhet të njihen edhe me rastet se si një media që përdor frekuencat, të cilat janë pasuri publike, shndërrohet në një “kobure” në duart e një partie politike. Ky është edhe rasti i Alpo Televizion, që prej kohësh është në shërbim të LSI-së për t’u përdorur gjatë fushatës, siç në fakt po përdoret ndonëse në mënyrën më të shëmtuar të mundshme.

Papunësia ka qenë dhe mbetet një problem shqetësues në Libohovë, që nuk e zgjidh dot në mënyrë përfundimtare Luiza Mandi, siç nuk e zgjidhi dot as paraardhësi i saj apo dikush tjetër që mund të vijë në krye të bashkisë. Papunësia është një problem kombëtar dhe sigurisht që Libohova nuk është ishull i izoluar që të mos preket nga ky problem.

Bashkia Libohovë nuk është institucion i përkryer dhe as Luiza Mandi nuk është kryebashkiake e pakritikueshme në këto një vit e gjysmë që ka në detyrë. Por kur kritikat vijnë prej televizionit të LSI-së dhe aq më tepër në formë e përmbajtje tejet të shëmtuar e aspak profesionale, thjesht duhen kuptuar si luftë për pushtet në radhët e LSI-së dhe trafik influence. Asgjë më shumë sesa kaq!/Libohova Online/