Temperatura rekord në zero

bore-dardhe-c1200x600-640x320Në zonat malore të vendit do të jetë aq ftohtë sot sa edhe në mesditë temperaturat do të jenë minus.

Sipas Institutit Meteorologjik Meteoalb, pavarësisht se dita e sotme shënon temperaturat më të ulëta për muajin janar, edhe gjatë ditëve në vijim temperaturat do të jenë deri në minus 10 gradë në zonat malore të vendit.

Sipas të dhënave, sot në mëngjes temperatura në Tiranë ka qenë -2.6 gradë, ndërsa në Durrës -1 gradë, në Gjirokastër -6 gradë.

Ndërkohë, temperaturat më të ulëta janë regjistruar në qytetin e Peshkopisë me -12, por në pjesën malore të këtij qyteti temperaturat kanë shkuar deri në -17 gradë.

Në qytetin e Kukësit, temperatura në mëngjes ka qenë -11 gradë, ndërsa në Ersekë -13.4 gradë.

Dy zonat më të ftohta janë pikërisht Peshkopia dhe Korça. Temperaturat kaq të ulëta kanë shkaktuar trashësi të madhe akulli në shumë akse rrugore të vendit.

Prani akulli ka edhe në Tiranë, por në Peshkopi trashësia e akullit shkon mbi 5 cm, çka vështirëson jo pak qarkullimin.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, rrugët nacionale janë të kalueshme, por është i detyruar përdorimi i zinxhirëve për shkak të akullit.

Në Rrugën e Kombit trashësia e dëborës afër tunelit Thirrë-Kalimash është 45 cm, por në rrugë nuk ka dëborë sepse 8 borëpastrueset kanë qenë vazhdimisht në punë.