Tenderat në Gjirokastër, ja sa para shpenzojnë për ushqimin te spitali dhe policia

Muajt e parë të çdo viti janë ato kur institucionet publike zhvillojnë kryesisht tendera për shërbime dhe mallra që do t’i përdorin gjatë 12 muajve. ArgjiroLajm.net ndalet sot tek tenderi i furnizimit me ushqim në spitalin rajonal ‘Omer Nishani’ dhe në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër. Spitali ka vënë në dispozicion një fond me vlerë rreth 27 milionë lekë të vjetra pa TVSH për blerje ushqimesh deri në fund të vitit 2018. Ky ushqim u ofrohet pacientëve që shtrohen në spital. Ndërkohë Policia shpenzon vetëm 2.6 milionë lekë të vjetra pa TVSH. Ushqimi që blihet me këto para u ofrohet personave që qëndrojnë në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër, në pritje të sqarimit të pozitës së tyre. Ushqimi ofrohet i gatuar (catering) çdo ditë për tre vakte dhe mbërrin në drejtorinë e policisë me furgona termoizolues. Të paktën kështu thuhet në dokumentet e tenderit që ka siguruar ArgjiroLajm.net