Testimi i punonjësve të shtetit, largohet kush nuk merr mbi 50 pikë

 Testimi i punonjësve të shtetit, largohet kush nuk merr mbi 50 pikë

njerez-ne-testimPas muajit maj, 16 mijë punonjësit e Administratës Publike që kanë statusin e nëpunësit civil rrezikojnë largimin nga puna nëse nuk arrijnë të kalojnë pragun prej 50 pikësh në testimin që do të mbahet në pranverë. Drejtoresha e DAP, Albana Koçiu shpjegon për Ora News se nëse punonjësit e administratës që rezultojnë mbetës nuk arrijnë të kalojnë as trajnim 3-mujor ata do të duhet të lenë vendin e punës.

“Ata që vlerësohen jo kënaqshëm që marrin një maksimum pikësh deri në 50 pikë nga 100 që është totali ata do ti nënshtrohen një trajnimi të posaçëm 3-mujor së bashku me supervizim nga eprori i tyre i drejtpërdrejtë. Në përfundim të periudhës 3-mujore nëse përsëri rezulton që punonjësi nuk është i aftë për ti demonstruar dhe përvetësuar njohuritë e reja aty do të duhet pastaj të lërë vendin e punës”,  tha Albana Koçiu.

Sipas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, testimi synon përditësimin e njohurive dhe do të përsëritet çdo 4 vite. Punonjësit e administratës do t’u duhet gjithashtu të shfletojnë literaturën e posaçëm përpara se ti nënshtrohen testimit.

“Punonjësit do të duhet që në interval 4-vjeçare t’i nënshtrohen vlerësimeve periodike lidhur me përditësimin e njohurive që duhet për të ushtruar funksionet e tyre”, tha Koçiu.

Testimi që do të peshojë njohuritë e punonjësve të administratës me statusin e nëpunësit civil do të jetë me shkrim dhe me gojë. Lista e punonjësve që do t’i nënshtrohen këtyre vlerësimeve ka filluar të hartohet nga DAP dhe pritet që në ditët në vijim punonjësit të njoftohen si dhe t’u jepen orientimet para provimit. /oranews/

Libohova Online