Testimi i mësuesve, ja kush kalon, 2281 vende të lira në arsimin parauniversitar

mesues-testimi“Gazeta Shqiptare” publikon pjesën e dytë të rezultateve të mësuesve për të dyja pjesët e testit. Në testim morën pjesë 5217 mësues, të cilët garojnë për 2281 vendet vakante në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Bashkangjitur kandidatët kanë ID e tyre personale si dhe pikët që ata kanë marrë në të dyja pjesët e testimit. Gjë që është e rëndësishme, pasi sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, kualifikohen ata mësues që kanë marrë 50% të pikëve të secilës pjesë të testimit.

Pjesa e parë vlerësohej me 30 pikë në total, ndaj minimalisht një kandidat duhet të marrë 15 pikë, ndërsa pjesa e dytë vlerësohej në total me 40 pikë dhe një kandidat që të konsiderohet kalues duhet të merrte patjetër 20 pikë. Gjatë prezantimit të rezultateve në total të kandidatëve, Ministria e Arsimit ka sqaruar se kandidatët fitues do të fillojnë punë në muajin janar pranë shkollave përkatëse si të komanduar dhe më pas do të jenë këshillat e vlerësimit të shkollave përkatëse që do të përcaktojnë nëse ata do të jenë definitivë apo jo.

Pikët total që mund të rrinin kandidatët nga testimi ishin 70 pikë, ndërsa nga testimi vërehet se pikët maksimale që ata janë vlerësuar kanë qenë 68 pikë, por ka pasur dhe kandidatë me pikë minimale 5. Ministria e Arsimit dhe Sportit në total ka shpallur 2281 vende vakante në arsimin parauniversitar, pjesa më e madhe, me plot 576 vende të lira janë në profilin Edukim Fizik, 440 janë në arsim fillor, 278 vende të lira janë në Matematikë etj.

Përzgjedhja e kandidatëve në vendet bosh do bëhet në bazë të pikëve që kanë arritur në testim. Po ashtu, punësimet e arsimtarëve do të bëhet nga kjo listë, e cila sipas MAS është e para e llojit të vet, pasi ka bërë rankimin e mësuesve në rang vendi sipas profileve përkatëse.