Tifozat Kuq e Zi: Federata pazar me biletat, po favorizon agjencitë turistike

 Tifozat Kuq e Zi: Federata pazar me biletat, po favorizon agjencitë turistike

maxresdefault_38Pas krijimit të “fun club”-it, “Tifozët e Kombëtares”, “Tifozat Kuq e Zi” patën disa reagime kundër federatës. Në to akuzonin institucionin e futbollit në vend për një sërë aferash dhe padrejtësish që i kishin bërë grupimit më të zjarrtë të tifozëve të Kombëtares.

Pas një periudhe të shkurtër, gazeta “Panorama Sport” u përpoq që të merrte një reagim edhe më gjakftohtë nga ky grupim. Megjithatë, jo vetëm që tonet e ligjërimit të tifozëve nuk ishin më të ulëta, por përkundrazi hodhën dritë edhe më tepër fakte në të cilat shtonin akuzat e tyre.

“Panorama Sport” kontaktoi “Tifozat Kuq e Zi” me anë të një e-maili dhe në të njëjtën mënyrë erdhën edhe përgjigjet e grupimit, nga kryesia e tij, për të mos veçuar askënd nga anëtarët dhe për të mos e personalizuar qëndrimin. Me akuzat e tyre, “Tifozat kuq e Zi” kanë shkuar më tej duke akuzuar kreun e federatës për një komplot të parashikuar kundër trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazi.

“Duka edhe disa zyrtarë të tjerë, si Alban Bushi apo Redi Jupi kanë luajtur një gjueti shtrigash sidomos ndaj trajnerit të Kombëtares dhe lojtarëve, duke dashur t’ia atribuojnë vetes krejt meritat”, shprehen ndër të tjera “Tifozat Kuq e Zi” në komunikimin me gazetën “Panorama Sport”.

Si e gjykoni “fun club”-in “Tifozët e Kombëtares” që është krijuar nga FSHF?

Ashtu si edhe jemi shprehur në deklaratat tona, “fun club”-in e konsiderojmë si një metodë të FSHF-së për të kontrolluar tifozëritë, si edhe politikë për zhvatjen e tyre.

Sa e cenon organizimin tuaj një veprim i tillë nga FSHF?

Ne ju kemi thënë në letrën e parë se në asnjë rast nuk jemi kundër krijimit të diçkaje, deri në momentin që nuk cenon interesat tona edhe nuk e prek pavarësinë tonë. Ndërkohë që ata thonë se “fun club”-i nuk cenon ato që përmendëm, janë po ata që deklarojnë se përparësi për bileta ju japim vetëm nëse i bashkoheni “fun club”-it. Ne ju kemi ofruar kompromis në këtë pikë duke ju thënë se do t’ju sjellim një listë të anëtarëve tanë, por ata kanë kundërshtuar. Ne nuk mundemi t’u kërkojmë anëtarëve tanë të vijnë me kollare në stadium dhe të ripaguajnë tjetër anëtarësim.

Në bisedimet me FSHF-në, çfarë kushtesh ju kanë vendosur dhe a është përdorur “fun club”-i si presion ndaj jush?

Në fakt, këtu ndihemi të tradhtuar. Për opinionin e gjerë, TKZ janë ata që përherë kanë kërkuar takim me FSHFnë dhe jo e kundërta. Kështu ka ndodhur edhe në të gjitha ndeshjet gjatë eliminatoreve. Me fjalë të tjera, ne jemi sjellë si institucion, ndërsa FSHF është sjellë si një organizatë konfuze. Kërkesën e kemi dërguar rreth mesit të dhjetorit, ndërsa përgjigjet e tyre kanë ardhur në fundin e dhjetorit. Ditën e takimit, ata kishin promovuar edhe “fun club”- in e vet dhe një orë më vonë hyjnë në takim me ne. Ne nuk ishim në dijeni për atë që kishte ndodhur. Ata, gjatë bisedave, provokonin me tema të tipit: A do të pranonit të anëtarësoheni në një klub tifozësh? Sipas tyre nuk kishte mundësi tjetër për bileta. Pra, edhe thoshin se bileta nuk ka, edhe na tregonin se anëtarë- simi në “fun club” na favorizonte për biletat.

A ka pasur ndonjë përfaqësues të TKZ (qoftë edhe në numër të kufizuar) që ka aprovuar “fun club”-in e federatës?

Absolutisht asnjë! Është një ndër vendimet e rralla që është marrë me unanimitet.

Si ju duket ky trajtim nga federata? Deri dje, të gjithë, edhe përfaqësuesit e FSHFsë krenoheshin me ju, sidomos për transfertat (që janë edhe më të vështirat në organizim), ndërsa tani sikur ju kanë anashkaluar…

Ne nuk presim që ata të na duartrokasin, pasi qëllimi ynë është përkrahja e Kombëtares dhe e fanellës kuq e zi, të cilat janë pronë e gjithë shqiptarëve dhe jo e FSHF-së, një individi apo të një organizate. Por, mënyra si janë sjellë dhe si po sillen është hipokrite.

Incidenti në shesh me Dukën indirekt ju është faturuar juve. Sa ka ndikuar ajo në marrëdhëniet me federatën apo edhe reagimi juaj në miqësoren e fundit me Gjeorgjinë?

Nuk e besojmë. Kjo po përdoret si pretekst për të justifikuar një krijesë të re dhe asgjë më shumë. Nuk është hera e parë që e kritikojmë federatën dhe këtë do ta bëjmë gjithmonë kur mendojmë se e kanë keq dhe po ashtu do t’i përkrahim kur mendojmë se po veprojnë mirë.

Pse ndodhi një veprim i tillë? Pse e vërshëllyet Dukën kur Shqipëria ishte kualifikuar?

Kjo ndodhi pasi prapë federata na preu në besë. Kishim përgatitur një koreografi me Ballistin dhe në çdo detaj paraprakisht kishim informuar edhe zyrtarë të FSHF-së, deri në momentin e fundit gjithçka ishte në rregull. Por, kur u futëm në stadium, nuk na lanë ta hapim koreografinë tonë. Kësaj i shtohet edhe fakti se Duka edhe disa zyrtarë të tjerë, si Alban Bushi apo Redi Jupi, kanë luajtur një gjueti shtrigash, sidomos ndaj trajnerit të Kombëtares dhe lojtarëve, duke dashur t’ia atribuojnë vetes krejt meritat.

Jeni shprehur publikisht se FSHF po bën pazare.Çfarë keni dashur të thoni me këtë?Për çfarë pazaresh bëhet fjalë?

Nëse qenka rregull i UEFAs, gjë që ne nuk e besojmë, krijimi i këtij klubi, atëherë pse duhet t’u merren lekë shqiptarëve? Ndërsa agjencitë turistike nëpër Shqipëri po japin oferta me bileta të sigurta për në Francë, ne kemi informacionet tona se këto bileta janë në listën e “klubit të tifozëve” të FSHF-së që u jep prioriteta./panorama sport/

Libohova Online