Tjetër lëvizje në Këshillin Bashkiak Gjirokastër, shkarkohet Mimoza Çomo, zgjidhet Vjollca Koko

Koalicioni PD-LSI në Këshillin Bashkiak të Gjirokastrës ka marrë sot një tjetër goditje. Në mbledhjen e radhës, me shumicë votash u shkarkua kreu i këtij këshilli, Mimoza Çomo, e cila u zgjodh disa javë më parë si përfaqësuese e PD-së. Në vend të saj, 17 këshilltarët e pranishëm në mbledhje zgjodhën në krye të këshillit, mjeken Vjollca Koko, e cila është përfaqësuese e LSI-së në Këshillin Bashkiak. Me këtë lëvizje, grupimi i këshilltarëve të PS-së, përveç se shkarkoi Mimoza Çomon, përçau nga ana tjetër edhe grupimin e LSI-së. Dy prej këshilltareve të kësaj partie, Vjollca Koko dhe Monda Kllapi, qëndruan në mbledhje dhe siguruan shumicën e nevojshme për të bërë këtë lëvizje. Ndërkohë PD-së i ka mbetur ende sekretari i këshillit, Spartak Drasa, i cili u zgjodh javën e kaluar. Por, me gjasë edhe ai do të shkarkohet në mbledhjet e ardhshme, për shkak të krijimit të kësaj shumice të re. Në mbledhje nuk morën pjesë këshilltarët e PD-së dhe pjesa tjetër e këshilltarëve të LSI-së.