Trashëgimia kulturore, ekspertët debatojnë në Gjirokastër
Ekspertë vendas dhe të huaj, të emergjencave dhe të trashëgimisë kulturore kanë ndarë ide dhe praktika sesi mund të mbështesin njëri-tjetrin për të mos thelluar dëmet dhe humbjet në raste katastrofash.
Gjatë një paneli të organizuar në Gjirokastër, ekspertët thanë se individët të cilët ndërhyjnë duhet të kenë njohuri dhe teknika efikase për të shpëtuar objekte të trashëgimisë.
“Çdo objekt është i përfshirë në këtë planin e emergjencës dhe në momentin kur shkojnë ekipet përkatëse për të dhënë ndihmën e tyre i bëhet një raport situate që e quajmë ne”, thotë Xhuvanaq Gjylameti.
“Kemi mbuluar raste të emergjencave civile që përfshijnë gjithashtu trashëgiminë kulturore në të gjithë botën. Deri para një dekade mendonim sesi ne mund të parandalonim dëmet, ndërsa tani mendojmë si të edukojmë paraprakisht njerëzit dhe ekspertët e fushave të tjera për njohur monumentet dhe vlerën e tyre. Kjo na ka dhënë më shumë rezultat. Shqipëria natyrisht ka jetuar një periudhë të gjatë tranzicioni ku vëmendja për monumentet ka qenë minimale”, thotë Catherine Antomarchi Drejtore e Njësisë së Koleksioneve IÇROM.
Në Jug të vendit gjenden më shumë se 500 objekte monumente kulture të kategorisë së parë, disa parqe arkeologjike dhe natyrore si dhe një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së artit fetar I lidhur kryesisht me kulturën bizantine.