Tregtarët të zhgënjyer me Zamira Ramin, shtoi taksën e sportit te fatura e ujit
Bashkia e Gjirokastrës duket se ka bërë një hap mbrapa në taksat e vendosura qytetarëve. Ndryshe nga sa pritej, taksat vendore janë rritur.
Të parët që ngrenë shqetësimin për taksat e bashkisë janë tregtarët e tregut të fruta – perimeve në qytetin e Gjirokastrës. Ata e cilësojnë të padrejtë vendosjen e taksës për sportin brenda faturës së ujit të pijshëm, ndërsa pohojnë se ka rënie të ndjeshme të xhiros ditore që në pjesën më të madhe të rasteve nuk e kalon 2000 mijë lekë në ditë.
Taksat e reja të Bashkisë Gjirokastër janë miratuar me paketën e re fiskale në muajin janar të këtij viti, një paketë e kundërshtuar nga këshilltarët e djathtë.
Një prej taksave të kundërshtuara fort nga të djathtët ka qenë edhe taksa e arsimit dhe sportit, shqetësim i ngritur prej tyre edhe në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak me pretendimin se kjo taksë është antikushtetuese dhe paguhet dy herë prej tregtarëve në Gjirokastër,që e japin këtë taksë si biznes dhe si familjarë, në një kohë kur qeveria sipas të djathtëve, pohon se arsimi dhe sporti janë falas.