Tritan Shehu kujtohet ‘pas pilafit’: Në Gjirokastër u blenë vota, por s’kam prova

Kandidati fitues i PD-së në Gjirokastër, Tritan Shehu ka gjetur alibinë për humbjen spektakolare të opozitës në këtë qark dhe renditjen e saj si forcë e tretë politike. Duke folur për Neës 24, Shehu ka denoncuar atë që ai e quan vjedhje masive të votave.

“Procesi i votimit ishte normal, korrekt. Nëse do ta shohim në thelb, do shihnim probleme të mëdha, tragjike për vendin, siç është edhe blerja e votës. Blerja e votës ka ndryshuar rezultatin ne Gjirokastër. Ne kemi bërë thirrjet tona, por i takon policisë të hetojë. Ne nuk jemi në ndjekje të keqbërësve. Duhet ta bënin strukturat e policisë. Më tragjike është problemi i kanabisit dhe i drogës, të cilën e kam denoncuar edhe më parë, ndërsa ky qark është mbuluar nga droga. Paratë e drogës janë kthyer në mjet intimidim, kërcënimi për njerëzit e ndershëm. Tani i përdorin në këtë mënyrë”, tha Shehu.

E habitshme është se përse PD nuk i ka denoncuar gjatë fushatës këto raste, ku pretendon se është blerë vota. E habitshme është se si nuk pati reagim ditën e zgjedhjeve.

Kemi të bëjmë thjesht me një alibi për të justifikuar humbjen, humbje që në Gjirokastër ka ardhur edhe prej kandidaturës së Tritan Shehut. Ai ishte dhe mbetet një kandidat i lodhur politikisht që nuk i thoshte asgjë elektoratit në Gjirokastër.

Shto këtu edhe fushatën e vakët e me plot broçkulla të tij, sollën këtë rezultat për PD-në. Tritan Shehu ishte ndoshta kandidatura më e dobët e listave të Lulzim Bashës në këto zgjedhjeve, kandidaturë që për fat të keq ia solli Gjirokastrës.

/ArgjiroLajm.net/