Tritan Shehu përgënjeshtron gazetën britanike: Lazarati është çliruar nga bandat kriminale

lazarat_08_15_2013Ish-deputeti demokrat Tritan Shehu e cilëson artikullin e shkruar nga gazeta britanike “Mirror” jo të vërtetë dhe se faktet e paraqitura aty janë jashtë realitetit. Edhe pse është përfaqësues i opozitës, Tritan Shehu thekson se Lazarati është i çliruar nga bandat kriminale.

Lazarati është ndryshe nga ajo që dikush e paraqiti sot. Me habi të madhe lexova një artikull mbi Lazaratin te një gazetë angleze, jashtë e larg realitetit të atij fshati.

Unë kam pasur mundësinë të njoh që gjatë fushatës së fundit elektorale, por edhe më përpara, atë fshat e shumë banorë të tij, të prek nga afër realitetin ku ata jetojnë dhe them me as më të voglin dyshim se Lazarati është një fshat me njerëz punëtorë, të ndershëm, familjarë, me vlera të mëdha shoqërore.

Lazarati nuk kultivon më kanabis, ai është çliruar nga bandat kriminale, që e krijuan atë veprimtari shkatërruese. Por kjo nuk do të thotë se atje kanë gjetur strehë e mundësi tashmë grupe terroriste”, thotë Shehu.

Ish-deputeti demokrat fton gazetarin që të vizitojë Lazaratin dhe të flasë me banorët.

Lazarati sot vuan vetëm nga një gjë dhe ajo është përkujdesja shtetërore, mungesa e programeve zhvilluese, investimeve, gjë që e ka çuar atë vend aq të bukur në varfëri. Gjë kjo e zakonshme tashmë në Shqipëri.

Sa për terrorizmin, unë e kam ngritur ndër të parët zërin për rrezikun e madh që paraqet për ne rekrutimi i disa kriminelëve për t’u dërguar si pjesë e ISIS. Për lidhjen krim-terrorizëm. Dhe kundër këtij rrezikut real për Shqipërinë, ne duhet të jemi aktvë, të përgatitur e të pa lëkundur. Por kjo nuk ka të bëjë me atë artikull”, vijon ai më tej.